
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj shprehet të jetë i revoltuar me veprimin komisionarit europian Johannes Hahn, për faktin se ai fillimisht viziton Serbinë, pastaj vjen në Kosovën e pavarur me tendencë shtimin e trysnisë për heqjen e taksës ndaj Serbisë.
Kjo sipas tij është e padrejtë, pasi siç shkruan ai, komisioneri Hahn fillimisht do të ishte më mirë të vij në Kosovën e pavarur e jo për të bërë trysni.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Kosovën e mbytët me hipokrizi!
Është e vërtetë që jemi vendi më properëndimor në Europë, e ndoshta në botë, por e vërteta tjetër e dhimbshme është se jemi më të margjinalizuarit në këtë pjesë të botës. Deri kur kështu, që disa zyrtarë, burokratë të pandreçshëm, të luajnë me ndjenjat dhe durimin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj?!
S’duhet të ketë kompromis në të drejtën tonë për të patur sovranitet, integritet, për të levizur lirshëm e për të qenë të respektuar për vendimet që i marrim.
Taksa 100% të vazhdojë, derisa nuk kemi njohje nga Serbia, liberalizim dhe njohje të plotë nga BE-ja.
Zotëri Komisionar Hahn, me këto lajme do të ishte më mirë të vinit në Kosovën e pavarur, e jo për të bërë trysni.


