Presidenti palestinez, Mahmud Abbas, tha të shtunën vonë se Këshilli Legjislativ Palestinez i cili dominohet nga Hamasi, do të shpërbëhet së shpejti.
Në adresimin e tij në një konferencë në Ramallah, Abbas njoftoi se Këshilli do të shpërbëhet “në mënyrë ligjore” pa dhënë një datë, veprim i cili ka të ngjarë të kundërshtohet nga Hamasi.
Rivali i lëvizjes Fatah të Abbasit, lëvizja e Hamasit, mban numrin më të madh të ulëseve në Këshill, puna e të cilit u ndërpre në vitin 2007, atëherë kur u shfaqën dy qeveri palestineze.
Nga 132 vende të Këshillit, 76 janë mbajtur nga Hamasi, Fatahu ka pasur 43, ndërsa 13 vendet tjera mbaheshin nga lëvizjet tjera.
Hamasi nga ana e tij, në disa raste ka ripërsëritur qëndrimin kundër shpërbërjes së Këshillit Legjislativ Palestinez duke thënë se Abbasi nuk ka kompetenca për ta shpërndarë atë.
Ligji themelor palestinez parashikon mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në çdo katër vjet, megjithatë zgjedhjet e fundit u mbajtën në vitin 2006.