Francë, 135 të lënduar gjatë protestave të shtunën

Mos i humb

Një total prej 118 personash dhe 17 policësh të lënduar është bilanci i protestave të së shtunës të “jelekëve të verdhë” anembanë Francës.

Numri është konfirmuar nga ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner, i cili në një konferencë për mediat të shtunën vonë, tha se në protestat mbarëkombëtare kanë marrë pjesë rreth 125.000 njerëz. Castaner tha se policia ka arrestuar 974 persona.

Në prag të protestës së djeshme, ishin ndërmarrë masa të rrepta sigurie, përfshirë edhe anulimin e disa ndeshjeve të ligës së parë në futboll, ndërsa në gjendje gatishmërie ishin dhjetëra automjete të blinduara dhe 89.000 trupa ushtarake, përfshirë 8.000 në Paris.

Të shtunën, protestuesit që mbanin jelekë të verdhë, u mblodhën përgjatë rrugës së famshme të kryeqytetit francez Champs-Elysees, ku dhuna e mëparshme detyroi dyqanet, restorantet dhe bankat të mbyllen të shtunën.

Edhe gjatë ditës së djeshme, policia franceze përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve përgjatë Champs-Elysees.

Protestat që filluan në Francë më 17 nëntor si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburanteve dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike, u kthyen në protestat më të dhunshme në vitet e fundit.

Protestuesit, të cilët përbëhen nga njerëz që banojnë kryesisht në zonat periferike për shkak të çmimeve të shtrenjta, kërkojnë nga presidenti francez, Emmanuel Macron, të ul taksat dhe të përmirësojë kushtet ekonomike.

Po ashtu për shkak të protestave, shumë restorante, lokale dhe dyqane në bulevardin Champs-Elysees dhe në zona të tjera u mbyllën, duke shkaktuar një dëm prej 3 deri në 4 milionë euro.

Më herët u njoftua anulimi i rritjes së çmimeve të karburanteve për vitin 2019.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit