
Hapja e llogarive bankare për publikun është njëra nga rekomandimet e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për të rritur transparencën dhe llogaridhënien e partive politike.
Sipas një analize të publikuar nga KDI lidhur me partitë politike dhe transparencën në fushatë, subjektet politike janë të gatshme të bëhen edhe më transparente nëse këtë ia obligon ligji.
Me këtë rast, Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu tha se rekomandimet e KDI janë duke u marrë parasysh nga ligjvënësit, mirëpo sipas tij ende ka hapësirë për përmirësime dhe diskutime të mëtutjeshme.
“Ky është një dokument diskutues që shkon më tutje. Dje kemi parë në komisionin për buxhet, disa rekomandime që i kemi dhënë më herët janë përfshirë. Ligji i djeshëm nga ajo që kemi arritë me pa i adreson disa çështje por natyrisht ka çështje që mund të diskutohen”, tha Kryeziu.
Ndërsa, Florent Spahija i cili prezantoi analizën e KDI-së tha se subjektet politike për të qenë më transparente, përveç llogarisë bankare online dhe të hapur për publikun, duhet të bëjnë publike financimet e kandidatëve që bëjnë fushatë në mënyrë individuale, si dhe publikimin e takimeve që do të mbahen gjatë fushatës zgjedhore.
“Subjektet politike e kanë një vullnet për me qenë transparente. Disa subjekte kanë thënë që ne do të jemi transparente nëse kështu e thotë ligji, pra, nëse i obligon ligji. Standardi i parë ka qenë publikimi i të gjithë emrave të shtabeve zgjedhore. Kjo do të rritë transparencën. Detyrimi ligjor që i obligon subjektet politike për hapjen e llogarive bankare. Subjekti politik llogarinë e vetme që e ka ta hapë dhe ta bëjë online. Krijimi i një nënllogarie online për subjektin politik në kohë fushate”, tha Spahiu.
“Publikimi i financave për secilin kandidat në fushatë. Për shkak se shumë kandidatë të subjekteve politike bëjnë edhe fushatë individuale. Shumica bëjnë edhe një fushatë paralele nëse financohen nga subjekti politik për atë fushatë por edhe nëse kanë financim tjetër kund, atëherë edhe ne kishim mundur me e pa. Ndihma që i bëhet këtij kandidati atëherë duhet të vendoset te tavani që subjektet politike mund të shpenzojnë për fushatë. T’i bëjmë publike pronarët e kompanive që japin donacion për subjektit politik. Publikimi i kalendarit të të gjitha ngjarjeve të cilat do ti realizojë subjektit politik gjatë fushatës. Ngritja e këtij niveli të transparencës është ngritje edhe e llogaridhënies është një lloj detyrimi për subjektin politik që të bëhet publike”, propozoi ai.
Në tryezën ku u prezantua analiza “Partitë Politike vs Transparenca në fushatë”, të pranishëm ishin edhe deputetë të pozitës dhe opozitës.
Ali Lajqi, nga Lëvizja Vetëvendosje tha se ligji për financimin e partive politike duhet të parasheh edhe dënime dhe sanksionime të tjera.
“Ligji duhe të përmbajë edhe dënime dhe sanksionime të tjera. Është pak vështirë e kontrolluar sepse kalon në formën e informalitetit. Ka shumë arritje dhe propozime të mira siç është çështja e llogaridhënies në sistemin bankar pastaj edhe për sjellja e standarteve të tjera”.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Naser Osmani tha se sa i përket mbikëqyrjes financiare të partive do të duhej të fuqizohej Komisioni Qendror Zgjedhor.
“Ajo që është më e rëndësishme është si të bëjmë transparencën në një subjekt politik. Këtë ligj dhe mbi bazën e ligjit të kërkohet llogaridhënia për transparencën e mjeteve. KQZ duhet me fuqizuar më shumë në aspektin që ka të bëjë për mbikëqyrje financiare”.
Kurse, Safete Hadërgjonaj, nga PDK ndërlidhi transparencën e subjekteve politike me transparencën në institucione.
Hadërgjonaj bëri të ditur se në Komisioni për Buxhet dhe Financa janë përballur me probleme sa i përket hartimit të ligjit për financimin e subjekteve politike.
“Unë trasparencën dhe llogaridhënien në subjektet politike e lidhi shumë me transparencën dhe llogaridhënien në institucione. Ne në Komisionin për Buxhet jemi përballë me problematikën e hartimit të ligjit. Kemi marr shumë rekomandime që janë dhënë nga personat e caktuar dhe jemi munduar që t’i implementojmë brenda ligjit”, u shpreh ajo./Kosova Post/


