
Buxheti i Komunës së Prishtinës është dëmtuar për më shumë se 500 mijë euro, tha asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, në një konferencë për medie.
Rrahmani tha se skenari i fitimit të tenderit nga kompania e caktuar ka qenë e projektuar nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Sipas tij, për të njëjtin qumësht, për të njëjtën sasi, tenderi i cili më 2014 ka qenë 200 mijë euro tani është 730 mijë euro.
“Kur në vitin 2014, Lëvizja Vetëvendosje, mori mandatin në Komunën e Prishtinës, një nga premtimet kryesore ishte që fëmijëve t’iu sigurohej një shujtë. Bashkë me këtë shujtë patëm premtuar se do të jetë edhe një qumësht i vogël. Menjëherë në atë kohë patëm shpallur tenderin dhe në këtë tender oferta për një qumësht të vogël ka qenë 10 centë. Fitues i këtij tenderi ka qenë “Devolli Group” me qumështin Vita dhe vlera e përgjithshme e kontra5tës ka qenë 200.000 euro”
Rrahmani, poashtu ka akuzuar qeverisjen e Ahmetit në Prishtinë se shpalljen e tenderit e ka bërë pa asnjë studim apo analizë.
“Në shpalljen e tenderit të viti 2017, pavarësisht se vlera e tenderi për të njëjtin produkt dhe me të njëjtën sasi ka qenë 200 mijë euro, vlera e parashikuar e tenderit është bërë 730 mijë euro pa asnjë studim apo analizë, pra 520 mijë euro më shumë”, tha ai përcjellë KosovaPost.
Asamblisti i VV-së më tutje bëri të ditur se kompania prodhuese e cila është nga Malta edhe pse nuk ka marrë pjesë në tender ka fituar atë.
“Edhe pse si kompania më e lirë, kompania prodhuese nuk merr fare pjesë në tender. Tenderin e fitoi kompania “Arbazen” me vendndodhje në Maltë. Nga të dhënat në ARBK shihet qartë që kjo kompani është e lidhur direkt me kompaninë prodhuese “Devolli Group”. Edhe pse në mes të dy tenderëve në fjalë, TVSH për qumështin është zvogëluar, oferta e kësaj kompanie dyfishohet në 19.4 centë. Zyrtarë komunal në vend që të bëjnë rrumbullakimin në vlerën m të vogël. Por në 19 centë, vlera rrumbullakohet në 20 centë”.
Në fund, Rrahmani iu bëri thirrje organeve të prokurorisë që me këtë çështje të merren sa më shpejtë ta hetojnë “deri në fund”.
“Bëjmë thirrje organeve hetuese të prokurorisë që sa më shpejtë të merren me këtë çështje dhe të hetohet deri në fund”, shtoi asamblisti i VV-së në komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani.


