
Kreu i Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk po e pranon dorëheqjen e deputetit Blerim Kuçi, për shkak të humbjes së një mandati në Kuvendin e Kosovës.
E gjithë kjo ndodhë për arsye që AAK, në zgjedhjet e fundit të mbajtura në qershor të vitit të kaluar, kishte qenë në koalicion parazgjedhor me PDK-në dhe Nismën Social Demokrate.
AAK tanimë në Kuvendin e Kosovës, i ka gjithsej 12 deputetë shkruan GazetaBlic.
E me largimin eventual të Blerim Kuçit, atëherë partia e kryeministrit Haradinaj, do të mbetej me 11 deputetë.
Blerim Kuçi me 23 janar të vitit që e lamë pas kishte deklaruar se nëse në vitin 2018 nuk bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën ai do të japë dorëheqje nga posti që e mbanë.
“Të paktën do jap dorëheqje nga posti i deputetit. Ky zotim do të kryhet, siç do të realizohen edhe premtimet tjera të Haradinajt”, kishte thënë Kuçi në Rubikon.
Në lidhje më këto deklarata Kuçi, gjatë ditës së djeshme ka thënë se ai e ka bërë kërkesën tek Grupi Parlamentar i AAK-së dhe pritet të shqyrtohet.
“Unë e kam bërë kërkesën në Grup Parlamentar të AAK-së dhe në parti dhe në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë do të merremi me këtë çështje. Unë mendoj se njëherë nuk mundet të bëhet sepse është votimi i buxhetit dhe po ashtu edhe jemi pa KQZ”, ka thënë Kuçi.
Por, deputeti tjetër i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka bërë të qartë se kjo parti do e refuzojë kërkesën e Kuit. Kjo për arsye, që siç ka thënë ai “premtimi i Kucit ka qenë, që nëse liberalizimi nuk ndodhë për shkak të mospërmbushjes së kritereve”.
“Ne nuk e kemi shqyrtuar kërkesën e deputetit Kuçi ende, por e di saktë se ajo nuk do të pranohet. Kuçi nuk ka asnjë obligim as moral as politik që të japë dorëheqje nga posti i deputetit, sepse edhe ai edhe partia që i tako, i kanë përmbushur krejt obligimet për liberalizimin e vizave. BE ndoshta do të reflektojë me disa muaj vonesë. Kërkesa e deputetit Kuçi do të refuzohet”, ka përfunduar deputeti Muharrem Nitaj
Aktualisht pushteti është me minus një deputet, meqë Nezir Çoçaj i PDK-së ka paraqitur dorëheqjen në administratë, ndërsa KQZ-ja po e ka të pamundur që ta certifikojë Rafet Ramën, deputetin që është në pritje në listë, në bazë të votave të fituara në zgjedhjet e vitit 2017 me PAN-in.
Në rast se i miratohet kërkesa edhe Kuçit, pozitën e deputetit do ta fitonte Bislim Zogaj, i Partisë Demokratike të Kosovës, që do të mund të mund të bëhej deputet kur presidenti Hashim Thaçi vendos që ta zhbllokojë KQZ-në duke emëruar anëtarët sipas rezultatit të zgjedhjeve të kaluara.


