
Aktivistë të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë dorëzuan në prokurori kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për lidhje të kontratës së dëmshme.
Me këtë rast aktivisti Valdrin Ahmeti tha se në prokurori kanë dorëzuar kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës për keqpërdorim të 530 mijë euro në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasëve I-V.
Ahmeti tha se nga viti 2017 ka pas rritje të çmimit të këtij tenderi prej 530 mijë euro me të njëjtën sasi të qumështit dhe periudhe të njëjtë kohore.
Sipas tij, në 2017 këtë tender e kishte fituar kompania “Devolli shpk”, ndërsa 2018 kompania “Abrazen” e cila e ka të njëjtin pronar.
“Para disa ditësh përmes një konference për media ngritëm dyshimin për keqpërdorim në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasëve I-V. Pas kësaj konference pasuan reagime të shumta të zyrtarëve komunal deri te kryetari i Komunës i cili paralajmëroi se do të na padisë për shpifje”.
“Sapo dorëzuam në prokurori kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës për keqpërdorim të 530 mijë € në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasave I-V. Më lejoni ta paraqes para jush njoftimin për kontratë që Komuna e Prishtinës e ka bërë në vitin 2016, me datë 27 shtator, ku në specifikacionet e tenderit shihet qartë se vlera e parashikuar e tenderit, është 200 mijë euro. Saktësisht në parashikimin e Komunës së Prishtinës oferton ‘Devolli group’ sh.p.k. e cila e fiton tenderin me 200 mijë euro”.
“Komuna njofton për dhënie të kontratës më datë 31 tetor 2016 dhe njofton për nënshkrim të kontratës me datë 1 dhjetor 2016. Këtu po flasim për tenderin për furnizim me qumësht për klasat I-V për vitin 2017”.
“Në vitin 2017, saktësisht në datë 5 tetor, Komuna e Prishtinës publikon njoftimin për kontratë, ku çuditërisht, vlera e parashikuar e tenderit nga 200 mijë euro sa ishte në vitin paraprak, bëhet 730 mijë euro. Njoftimi publikohet përsëri më 30 tetor si ritenderim me të njëjtën vlere të parashikuar të tenderit”.“Nuk kemi të bëjmë me rritje të çmimit, as dyfishim.
Vlera e parashikuar e tenderit është rritur për 530 mijë euro nga ana e Komunës së Prishtinës. Nuk po flasim për ofertën që është dorëzuar nga një apo disa operatorë ekonomik. Po flasim për dokumentin që e ka përpiluar Komuna e Prishtinës. Pra Komuna e Prishtinës ka parashikuar rritje prej 365 % të vlerës së tenderit. Vetëm rritja është 365% e vlerës së tenderit, apo 530 mijë euro”.


