A do të tentojë Isa Mustafa ta shtyjë Kuvendin e LDK-së, për shkak të luftës së brendshme?

Mos i humb

Isa Mustafa ka mundësi që të dalë me idenë e shtyrjes së Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, i cili është caktuar të mbahet më 3 gusht.

Kjo kërkesë e tij, thonë burime brenda LDK-së, do të mbështetej në arsyetimin se lufta e brendshme e ka bërë pothuajse të pamundur dakordimin për një kandidat konsensual, i cili do ta merrte drejtimin e partisë.

Gara për fronin e LDK-së është duke u ashpërsuar gjithnjë e më shumë, ndërsa numri i atyre që synojnë ta udhëheqin këtë parti është i lartë. Deri më tash, ambiciet e tyre i kanë shprehur Lutfi Haziri, Agim Veliu, Fatmir Sejdiu, Gazmend Muhaxheri, e po ashtu janë përmendur edhe Vjosa Osmani e Kujtim Shala. Por, gjithnjë aty qëndron edhe Isa Mustafa, i cili ende nuk ka thënë se do të tërhiqet dhe se kandidatura e tij po ashtu është plotësisht e mundshme.

Në këto rrethana, kur grupet brenda partisë po shkojnë duke u rritur, e bashkë me to edhe apetitet për pushtet, dhe kur gjetja e një kandidati konsensual duket e vështirë, Isa Mustafa thuhet se mund të kërkojë që zgjedhja e Kryetarit të ri të LDK-së të shtyhet të paktën edhe për gjashtë muaj, ose një vit, në mënyrë që, sipas tij, “të shpëtohet LDK nga përçarja”, sidomos tash kur vendi ndodhet para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme , shkruan lajmi.net. Ky mund të jetë edhe një kalkulim i Isa Mustafës për ta mbajtur ende nën udhëheqjen e tij LDK-në.

Mirëpo, përpara mund t’i dalin me kundërshtime Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, të cilët thuhet se kanë shprehur qëndrim të qartë se nuk do të tërhiqen assesi nga gara.

Kryesia e LDK-së do të mblidhet sot në orën 13:30. Mbledhjen do ta udhëheqë Isa Mustafa dhe ajo do të mbahet në selinë qendrore të LDK-së.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit