Deklaratën ajo e bëri gjatë shqyrtimit të një projektligji të propozuar nga një grup deputetesh të PD-së “për Ndërgjegjësimin, Kujtesën Kolektive, Ekspozimin dhe Ndëshkimin Publik të Regjimit Totalitar Komunist”.

Sipas Açkës më të ndershëm kanë qenë ata që kanë shkruar poezi për Enver Hoxhën në kohën e diktaturës, për rrethanat kur i kanë shkruar, sesa ata që shkruajnë sot në kohë lirie për Berishën dhe Ramën.

Fjala e Açkës

Unë vetë kam shkruar fëmijë dhe për fat të mirë i kam shpëtuar faktit që s’kam botuar asnjë poezi për diktaturën. Por nuk i gjykoj kurrë kolegët e mi që në kushte të caktuara, kanë shkruar poezi dhe romane të caktuara.

Ne nuk ia kemi shpjeguar shqiptarëve që ata që kanë shkruar poezi për Enverin, janë viktima jo fajtorë. Ne i kemi futur në një kallup të gjithë dhe i kemi dënuar edhe publikisht pse ata kanë shkruar një poezi për Enverin.

Po ta kishim bërë këtë debat publik me kohë, këta njerëz nuk do të ndiheshin sot viktima dhe të intimiduar. Ne duhet ti mbrojmë ata duke u shpjeguar qasjen ashtu siç është e vërteta. Nëse nuk e bëjmë këtë gjë, do ti lëmë viktima të kohës së tyre.

Është më e ndershme ajo që kanë bërë ata që kanë shkruar një poezi për Enverin në atë kohë, sesa ata që shkruajnë romane sot për Sali Berishën dhe libra e poezi për Edi Ramën në kohë lirie. Midis të dyve, zgjedh të parët që e kanë bërë në kushte dhune sesa këta që e kanë bërë në kushte lirie. E vërteta u duhet thënë siç ka qenë.

Duke qenë dëshmitarë e kemi për detyrim që duhet ta themi të vërtetën siç ka qenë, jo për të dënuar, jo për të marrë hak por për të shpjeguar brezave që vijnë siç ka qenë e vërteta.