Açka: Të unifikojmë lëndët e historisë, gjuhës shqipe dhe letërsisë

Mos i humb

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit i Shqipërisë zhvilloi një mbledhje të përbashkët me Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kjo mbledhje u zhvillua në kuadër të planit të punës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave institucionale ndërmjet dy vendeve.

Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka, tha në fjalën e saj se, “Alterteksti ka filluar në vitin 2004. Më pas nga 2004-2013 , bëj një ndjesë nga e të djathtës e cila nuk ka qenë shumë ndjeshme në lidhje me çështjen e Altertekstit ka qenë në një farë mënyre një lloj kaosi. Kjo se për shkak të Altertekstit u futën gjithfarë librash në treg, 900 tituj u krijua një inflacion për tekstet saqë edhe mësuesit nuk po orientoheshin dot, mendoje se çfarë bëhej me fëmijët. U hoqën 120 tekste nga 900 tekste që ishin në treg”.

Açka u shpreh se, “mendoni se çfarë ka ndodhur këto 10 vjet me këto 120 tekste. Nuk po e them këtë për të kritikuar se thashë po bëj një ndjesë nga ana e të djathtës që nuk ka bërë mirë detyrën. Por problemi është se çfarë ka ndodhur më këta fëmijë që kanë pasur këto 120 tekste në duar”.

Më tej Açka theksoi se, “për të bërë tekste të mira duhen 3000 specialistë, po a i kemi ne këta specialistë për të nxjerrë vepra shumë të mira për gjeneratat”.

“Informacioni i këtij komisioni është mbyllur në vitin 2013 dhe ne nuk kemi asnjë lloj informacioni çfarë ndodh mbrapa. Më mirë të di që kanë dalë 900 tekste se sa të mos di gjë fare. Informacioni im personal që jam njeri i lidhur me botimet ka mbetur në vitin 2013”, tha ajo.

Açka përshëndeti botimin e Abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Lidhur me unifikimin e teksteve mes dy vendeve, Açka tha se, “do të duhen 10-vjeçarë për të arritur aty ku duam ne që të unifikojmë gjithçka. Ajo që ne mund të unifikojmë dhe ta fillojmë mund të jetë historia, letërsia dhe gjuha shqipe. A mundet që këto tre tekste që janë bërthama e kombit ne t’i fillojmë t’i unifikojmë. Ky është propozimi im, i përbashkët, nëse mundet që t’ua propozojmë ministrive tona korrespondente dhe ta vazhdojmë në grupe të vogla se si mund të arrijmë në një relacion që t’ia propozojmë qeverive tona”.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola tha se, “jemi sot këtu për një arsye të përbashkët fuqizimin e rolit të parlamentit dhe komisionit në raport me ekzekutimin”.

“Dy vendet tona kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh dhe është roli ynë si komisione që të luajmë një rol më aktiv në zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Mund të bëjmë më shumë për jetësimin e këtyre marrëveshjeve, që të kemi një projekt të përbashkët të fuqizimit të dy shteteve në rajon dhe më gjerë”, tha Gola.

Duke folur për unifikimin e teksteve shkollore, Gola tha se, “ende nuk i kemi të harmonizuara kurrikulat e lëndëve të historisë, gjuhës shqipe dhe letërsisë. Mendoj se politika e të dy shteteve duhet të jetë e fokusuar në mënyrë dërrmuese tek fuqizimi dhe ruajtja e lidhjes afektive të diasporës me vendet e tyre amë”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit