Ahmetaj në Kavajë: Investimi për kanalizimet shmangu përmbytjen

Mos i humb

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ishte të dielën në fshatin Rrikaj të Kavajës, ku u takua me banorët e prekur nga shirat e ditëve të fundit.

Në këtë zonë, në muajin maj të këtij viti nisi faza e parë e investimit për pastrimin e një segmenti prej 6 kilometrash të Përroit të Darçit, investim që ka ndikuar që zona të mos prekej nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Problem mbetet segmenti i dytë, puna për pastrimin e të cilit, sikurse premtoi ministri Ahmetaj, do të fillojë në vitin 2018.
Përroi me një gjatësi rreth 18,5 km prek zonat në 5 njësi administrative ndërmjet Kavajës dhe Rrogozhinës dhe në vitet e fundit ka përmbytur mbi 2000 ha tokë, duke sjellë dëme të konsiderueshme në banesa, tokën bujqësore, por edhe gjënë e gjallë.

“Në kuadër të emergjencës nga përmbytjet erdhëm sot të inspektojmë zonat e fushës së Kavajës, fshatrat Rrikaj dhe Hajdaraj. Ajo që vemë re është se aty ku kemi investuar, tek pjesa e parë e kanalit të Darçit, prej mbi 6km, fatmirësisht nuk ka asnjë përmbytje”, deklaroi Ahmetaj.

Ndërkohë, Bashkisë së Kavajës do t’i akordohet një fond emergjence për vazhdimin e punës për pastrimin e kanaleve dytësore.
“Besoj që duke qenë afër njerëzve ashtu si e gjithë qeveria, të gjithë institucionet, për t’ua lehtësuar sa më shumë atë ngarkesë që kanë këto ditë, edhe Bashkisë së Kavajës nesër do t’i akordohet një fond emergjence për të reaguar në pastrimin e kanaleve dytësore, për ta lehtësuar sa më shpejt situatën”, u shpreh ministri i Financave./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit