Ahmetaj në Londër, bashkëpunim për çështjet doganore

Mos i humb

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ndodhej në Londër ku ka nënshkruar Memorandumin për Bashkëpunim dhe Asistencë të Përbashkët për Çështjet Doganore.

Ai ndodhej në një vizitë dy ditore në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e Investimeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga BERZH.

Së fundmi, Shqipëria është bërë pjesë e projektit ndërkombëtar UK border force project Hunter, i cili ka për qëllim të ndërtojë në nivel ndërkombëtar aftësimin në grumbullimin, analizimin dhe shenjëstrimin e të dhënave për mallra dhe pasagjerë. Në kuadër të këtij projekti, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në Tiranë, është vendosur Steven Whitting, oficer kontakti i UK Border Force.

Në diskutimin e tij, Ministri Ahmetaj tha se prezenca britanike në Shqipëri është shumë e rëndësishme për ne, jo vetëm në aspektin operacional por edhe në përmirësimin e imazhit dhe rritjen e kredibilitetit.

Ministri e njohu palën britanike me nismat më të fundit të ndërmarra nga doganat, përfshirë vlerësimin në qendër tashmë tërësisht online dhe transparent. “Shumë shpejt do të mundësohet vlerësimi online edhe për eksportuesit, ndërsa brenda shtatorit do të mundësojmë gjurmimin në kohë reale të trafikut komercial”, – tha Ministri.

Ahmetaj shtoi se performanca ka ardhur në rritje, jo vetëm në aspektin e mbledhjes së të ardhurave.

“Tashmë kemi një sistem shumë të mirë të mbledhjes së të dhënave, por kemi nevojë për ndihmën dhe asistencën tuaj për të thelluar analizën e këtyre të dhënave. Integrimi me databazën e tatimeve është një sfidë që kemi. Ne po punojmë për të krijuar një platformë të përbashkët që do integrojë njësitë e riskut dhe ato të inteligjencës, mes dy institucioneve” – tha Ministri.
Një tjetër pikë diskutimi ishte roli i rëndësishëm i doganave në lehtësimin e tregtisë mes vendeve, edhe në kuadër të avancimit të Procesit të Berlinit./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit