“Air France ballafaqohet me rrezikun e falimentimit”

Mos i humb

 

 

Ministri i Ekonomisë së Francës, Bruno Le Maire tha se nëse kompania ajrore kombëtare Air France nuk ndërmerr hapat e nevojshëm ballafaqohet me rrezikun e falimentimit.

Le Maire i cili mori pjesë në një program në kanalin BFMTV theksoi seriozitetin e gjendjes në kompaninë ajrore kombëtare Air France, ku punëtorët e saj janë në grevë për 2.5 muaj me kërkesën për rritjen e pagave dhe përmirësimit të kushteve.

“Nuk e kuptoj gjendjen aktuale, përderisa Air France ishte në rrugë të drejtë. Aktualisht problemi kryesor është mbijetesa e kompanisë e cila po ballafaqohet me rrezikun e falimentimit në qoftë se nuk i ndërmerr hapat e nevojshëm për konkurrencë”, tha Le Maire.

Duke u bërë thirrje pilotëve dhe punonjësve të kompanisë ajrore, Le Maire tha se “kompania është në rrezik” dhe se ata nuk duhet të kërkojnë më shumë se pagat e ofruara nga menaxhmenti.

Ai paralajmëroi se mbijetesa e Air France është në rrezik dhe u bëri thirrje të gjithë punonjësve të veprojnë me përgjegjësi.

Pilotët, punonjësit e kabinës dhe shërbimit në tokë të Air France të cilët janë anëtarë të 11 sindikatave vazhdojnë grevën e tyre për më shumë se 2 muaj me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës dhe rritjes së pagave për 6 për qind.

Kryeshefi ekzekutiv i Air France, Jean-Marc Janaillac pas refuzimit të rritjes së pagës së propozuar nga kompania në një votim në mesin e punonjësve, ditë më parë njoftoi se ka dhënë dorëheqje.

Menaxhmenti i kompanisë njoftoi se në çerekun e parë të vitit 2017 greva ka shkaktuar humbje prej 269 milionë euro në të ardhura. Duke bërë të ditur se greva ka ndikuar sidomos gjatë muajve prill dhe maj, parashikohet se humbja e shkaktuar si pasojë e grevës do të jetë “të paktën 300 milionë euro”.

Zyrtarët paralajmërojnë se e ardhmja e kompanisë është në rrezik për shkak të shqetësimeve të anulimit të biletave dhe të rezervimeve në masë të madhe.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit