Akulloreve në stinën e verës nuk mund t’i rezistojë dot askush.
- Sot ju vijmë me një version akoma dhe më të shkurtër por me shije perfekte si gjithnjë.
- Bëhet fjalë për akulloren me dy shije, një shtresë me fruta pylli dhe një shtresë me kos.
- Ndiqni me kujdes hapat e përgatitjes të shpjeguara në recetë dhe provojeni që sot.
Përbërësit
- 250ml kos
- 40g sheqer
- 140ml qumësht
- 100g fruta pylli (manaferra, luleshtrydhe, boronica, mjedra)
- 40ml lëng limoni
Përgatitja
- Për të nisur me përgatitjen e kësaj ëmbëlsire të shpejtë merrni një tas të madh qelqi dhe aty hidhni kosin.
- Mundohuni që kosi të mos ketë shumë lëng pasi akullorja nuk do të mpikset siç duhet.
- Përdorni kosin e deles i cili është më i trashë dhe i plotë.
- Pas kosit shtoni sheqerin dhe rriheni kosin me telin e kuzhinës në mënyrë që kokrrizat e sheqerit të shkrijnë.
- Më pas bashkoni lëngun e limonit dhe qumështin dhe përziejini lehtë kështu përbërësit do të lidhen me njëri-tjetrin.
- Gjysmën e masës së përgatitur kalojeni në një enë tjetër për ta përzierë me frutat.
- Përdorni blenderin për të bluar sa më imët frutat dhe për të krijuar një salcë të trashë dhe të njëtrajtshme.
- Në një enë e cila mund të qëndrojë në frigorifer hidhni fillimisht masën me fruta dhe përhapeni mirë.
- Vendoseni në frigorifer për 30-40 minuta në mënyrë që të ngrijë pak dhe mos përzihet me masën tjetër.
- Kur të ketë kaluar koha e nevojitur hidhni mbi masën me fruta shtresën vetëm me kos.
- Futeni përsëri në ngrirje dhe lëreni aty për të paktën tre orë.
- Tani ju mbetet vetëm ta shërbeni akulloren tuaj të shijshme dhe të shpejtë për të afërmit e familjarët.
- Nëse dëshironi mund ta shoqëroni edhe me biskota apo arra të thërrmuara për t’i dhënë akoma edhe më shumë shije.


