Albin Kurti zgjidhet kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje

Mos i humb

Sipas rezultateve paraprake, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është zgjedhur kryetari i ri i opozitës kosovare, Partisë Lëvizja Vetëvendosje. Kurti ishte i vetmi kandidat për kryetar në zgjedhjet e mbajtura dje në të gjitha degët e kësaj partie në Kosovë dhe jashtë saj.

Kurti, i cili është themelues dhe kryetar në dy mandatet e para pas themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, është zgjidhur kryetar për mandatin e ardhshëm trevjeçar në këtë parti.

Kutitë e votimit kanë qenë të hapura në të gjitha qendrat e degëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga ora 10:00 deri në orën 19:00. Sipas rregullit një anëtar një votë, të gjithë anëtarët kanë patur mundësinë të votojnë “pro”, “kundër” ose të abstenojnë.

Pas procesit të numërimit të votave komisioni Zgjedhor Ad-hoc, i formuar për të përcjellë procesin zgjedhor brenda partisë, ka shpallur rezultatet paraprake të votimit për kryetar të kësaj partie. Nga ky rezultat, 98.82 për qind e anëtarëve të LVV-së kanë votuar për kryetar Albin Kurtin, 0.61 për qind kundër, 0.57 për qind kanë abstenuar, ndërsa 0. 26 për qind e votav kanë dalë të pavlefshme.

Një numër i anëtarëve të kryesisë dhe deputetët e kësaj partie (si ish-Kryetari Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Aida Dërguri dhe Dardan Sejdiu) të cilët kohë më parë janë dorëhequr nga të gjitha pozitat e tyre brenda partisë, nuk kanë marrë pjesë në votime për shkak të mosmarrëveshjeve me Kurtin.

Kujtojmë se në fillim të këtij muaji, Visar Ymeri, në një konferencë shtypi njoftoi dorëheqjen e tij nga pozita si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, me arsyetimin se vitin e fundit, siç tha ai, “kanë filluar të rrënohen shtyllat kryesore të kësaj partie, si besnikëria ndaj konceptit politik, besimi i ndërsjellë mes aktivistëve dhe vetëmohimi”.

Lëvizja Vetëvendosje përfaqësohet nga 32 deputetë nga gjithsej 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit