Alimehmeti: Ajri i ndotur rrezikon jetën e qytetarëve në Tiranë

Mos i humb

Drejtuesi i listës së kandidatëve të Partisë Demokratike për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti u shpreh sot se, ndotja e ajrit në Tiranë, sipas matjeve të fundit të Institutit të njohur italian “Neotes”, është alarmante.

“Ajri që thithim çdo ditë dhe çojnë në mushkëri, fëmijët tanë, të moshuarit tanë, të sëmurët tanë, banorë të Tiranës apo vizitorë, pa asnjë dallim, përbën rrezik për shëndetin, është kancerogjen. Ekspertët italianë kanë konstatuar se, dy prej elementëve më të rrezikshëm për shëndetin, dioksidi i azotit dhe benzeni, janë 4-fish më të lartë në ajrin e Tiranës, se sa mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian. Ka disa zona në Tiranë, ku benzeni është 101 mikrogramë për metër kub, ndërsa në Itali është vetëm 5 mikrogramë.
Kjo lëndë shkakton kancer”, tha ai.

Po ashtu, Alimehmeti tha se, në përmasa alarmante është edhe përqendrimi i dioksidit të azotit.

“Laboratori italian ‘Neotes”, zbulon se ai arrin të kapë shifra tronditëse, duke qenë 9 herë më i lartë se mesatarja e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Dioksidi i Azotit shton vdekshmërinë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore dhe përkeqëson astmën, infeksionet e frymëmarrjes dhe sëmundjet kronike të mushkërive”, thotë ai.

Sipas tij, “kjo është për fat të keq, e vërteta e Tiranës”.

“Propaganda e Bashkisë thotë se kemi 1 milionë pemë dhe ajër të pastër. Ndërkohë, realiteti është krejt tjetër. Edhe pa shkencën, njeriu me sy të lirë e sheh dhe kupton se kur ndërtimet nuk kanë fre, kur trafiku zgjatet në çdo orë të ditës, kur masat për të kontrolluar mjedisin dhe ndalur shkelësit janë inekzistente, nuk mund të kishim ajër të pastër dhe tregues të shëndetit të mirë në qytetin tonë. Prandaj më 14 maj, të dashur bashkëqytetarë, ne duhet ta pastrojmë ajrin nga ndotësi më i madh dhe absolut i tij, nga Erion Veliaj”, tha ai.

Alimehmeti theksoi se, “me Belind Kelliçin, kemi një plan që do të lehtësojë trafikun, do të normalizojë ndërtimin, dhe do të krijojë oaze të gjelbra në çdo lagje”.

“Kjo do të ulë ndotjen, dhe do ta bëjë qytetin tonë më të pastër, më të shëndetshëm dhe më të jetueshëm për të gjithë, pa dallim”

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit