
Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Danco Markovski nga Korça ka pranuar se edhe presidenti i kësaj republike një ditë mund të jetë shqiptar, ashtu si ka pranuar se mund të kemi sërish edhe kryetarin e parlamentit apo edhe kryeministrin po nga radhët e shqiptarëve.
“Maqedonia është një shtet multietnik me besime të ndryshme si këtu në Shqipëri, kjo nënkupton që qeveria e re dhe vetë republika e Maqedonisë së Veriut është një shtet me mundësi të njëjta për të gjithë qytetarët. Duke u nisur nga kjo, ju tashmë e keni ndjekur që tashmë kemi një kryetar të kuvendit të Maqedonisë së Veriut i cili është me prejardhje shqiptare, kemi ministra të cilët janë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kemi edhe parti politike shqiptare në parlament. Pra dua të them se për ne nuk është diçka e re dhe ne jemi të vetëdijshëm për rolin e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nëse vazhdojmë me këto ritme, në të ardhmen mund të ndodhë që edhe kryetari i parlamentit, kryeministri, pse jo edhe presidenti të jetë shqiptar. Ajo çka është më e rëndësishme është që të kemi një shoqëri qytetare ku të mos ekzistojnë këto dallime që kanë qenë deri më tani, por të gjithë të shohim drejt të ardhmes, drejt BE-së, drejt NATO-s dhe drejt institucioneve të tjera ndërkombëtare. E drejta për përdorimin e gjuhës shqipe, mediat në gjuhën shqipe, ndërtimi i shkollave fillore e të mesme, institucionet kulturore, teatrot në gjuhën shqipe janë tashmë prezent prej 60 vitesh dhe do të vazhdojë të ndodhë. Qeveria e kryeministrit Zaev e ka thelluar edhe më tej këtë proces në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Më përpara ka ekzistuar ky bashkëpunim, por synimi është që të thellohet akoma më shumë dhe të ketë sa më shumë institucione të tilla.
Këto komente ambasadori Markovski i bëri gjatë një vizite në Universitetin ‘Fan Noli’ të Korçës ku është takuar me rektorin për të rritur bashkëpunimin mes këtij universiteti dhe universiteteve të Maqedonisë së Veriut.


