![]()
Ambasadori i Turqisë në Vatikan, Lutfullah Goktas, i ka dorëzuar liderit katolik Papa Françeskut letrën kredenciale për të filluar zyrtarisht detyrën e tij.
Ambasadori i ri u prit nga Papa në zyrat e tij, të cilit i dorëzoi letrën kredenciale përmes të cilës presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, emëron Göktaş-in si ambasador me kompetenca të plota dhe të jashtëzakonshme.
Pas dorëzimit të letrës, Papa Françesku zhvilloi një bisedë me ambasadorin turk në sallën e bibliotekës së tij personale.
Sipas të dhënave të siguruara nga AA, Papa dhe Goktas biseduan për marrëdhëniet midis Turqisë dhe Vatikanit, dramën humanitare në Siri dhe zhvillimet e fundit në lidhje me Kudsin.
Gjatë takimit ështe folur edhe për marrëdhëniet ndërfetare dhe është potencuar se terrorizmi nuk duhet asocuar me fenë, si dhe po ashtu është theksuar rëndësia e luftës së përbashkët kundër terrorizmit dhe çdo lloji të ekstremizmit.
Dy palët u zotuan të kontribuojnë në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe me parimin e respektit reciprok dhe eliminimin e paragjykimeve.
Pas Papës, ambasadori Goktas u prit edhe nga sekretari shtetëror i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.
Göktaş, më herët në vitet 2011-2014, ka qenë i angazhuar si këshilltar mediat i kryeministrit turk të asaj kohe, Erdogan, si dhe vazhdoi të njëjtin detyrë edhe pasi Erdogan u zgjodh president i vendit.
Në periudhën 2003-2011, Goktas ka qenë edhe përfaqësues i AA-së në Itali.


