
Dhjetë anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) i kanë bërë thirrje sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për të hetuar sulmet ajrore të regjimit sirian dhe Rusisë ndaj spitaleve në provincën Idlib që ndodhet në veriperëndim të Sirisë.
Në një letër drejtuar shefit të OKB-së, ambasadorët e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Belgjikës, Republikës Dominikane, Gjermanisë, Indonezisë, Kuvajtit, Perusë dhe Polonisë i kanë bërë thirrje Guterresit që të hetojë posaçërisht sulmet ndaj objekteve mjekësore dhe abuzimit të mundshëm të kanalit të OKB-së për zbutjen e konfliktit.
Rusia, Kina dhe shtetet afrikane që nuk janë anëtare të përhershme të këshillit, nuk i janë bashkangjitur thirrjes.
Organizata “Human Rights Watch” gjithashtu mbështeste thirrjen, duke thënë se është e domosdoshme që Guterres të fillojë hetimin.
“OKB u ka siguruar Rusisë, Sirisë dhe palëve të tjera në konflikt me koordinatat e spitaleve në Idlib për të garantuar sigurinë e tyre. Megjithatë, ato objekte për shpëtimin e jetës përsëri janë bombarduar”, tha në një deklaratë Louis Charbonneau, drejtori i organizatës së OKB-së për të drejtat e njeriut.
“Nëse aleanca ruso-siriane i ka përdorur ato koordinata për të sulmuar spitalet, kjo do të ishte një krim lufte, dhe ata që janë përgjegjës duhet të përgjigjen për veprimet e tyre të tmerrshme”, shtoi ai.
Mark Lowcock, koordinatori për çështjet humanitare të OKB-së, të martën i tha Këshillit të Sigurimit se fushata e regjimit që zgjat më shumë se tre muaj, jo vetëm që ka shkatërruar 17 fshatra në jug të Idlibit, por edhe i ka “zbrazur” gjithashtu.
“Ajo që shihni është një nivel shkatërrimi në përputhje me një fushatë bombardimesh që synon një politikë të tokës së djegur”, tha ai.
Sipas OKB-së, të paktën 450 civilë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës së regjimit në muajin prill. Këtu përfshihen edhe mbi 100 viktima në dy javët e fundit.
Shtatorin e kaluar, Turqia dhe Rusia ranë dakord për ta kthyer Idlibin në një zonë të de-eskalimit ku aktet e agresionit janë shprehimisht të ndaluara.
Megjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij vazhdimisht kanë thyer kushtet e armëpushimit, duke nisur sulme të shpeshta brenda zonës së de-eskalimit.
Zona e de-eskalimit aktualisht është e banuar nga rreth 4 milionë civilë, përfshirë qindra mijëra njerëz të shpërngulur nga forcat e regjimit nga qytetet e tyre në të gjithë vendin e shkatërruar nga lufta.


