Arrestimet pas tërmetit/ Policia e Durrësit jep detaje: 17 urdhër ndalimi, 9 në pranga, 8 në kërkim (Emrat)

Mos i humb

Drejtori i Policisë së Durrësit Lorenc Shehu, i shoqëruar nga kryeprokurorja e rrethit Anita Jella dhe Drejtori i Drejtorisë për Krimet Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit Lutfi Minxhozi ka dalë sot para mediave për të dhënë informacion zyrtar për aksionin e nisur në Durrës për ndalimin e personave përgjegjës për sigurinë e godinave ku humbën jetën shumë njerëz.

Shehu tha se Policia pas tërmetit kaloi në gatishmëri dhe 4012 forca policie ishin në terren dhe janë marre dokumentet tek objektet e dëmtuara nga tërmeti.
17 urdhra ndalimi, jane ekzekutuar 9 dhe 8 persona të tjerë janë në kërkim.

Sipas drejtorit të policisë, u morën masa të menjëhershme për ruajtjen e rendit e sigurisë, ruatjen e objekteve të dëmtuara apo të braktisura nga banorët si pasojë e panikut, si dhe u morën në ruajtje objektet që u cilësuan të pabanueshme, me qëllim moslejimin e futjes së banorëve për shkaqe sigurie.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ngriti menjëherë një grup të posaçëm hetimor, me secialistë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, në përbërje të tyre edhe specialistë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Finaciare në Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë, nën drejtimin e njësive të posaçme të ngritura nga prokuroritë përkatëse, me objekt “Kryerjen e veprimeve, dokumentimin e paligjshmërisë dhe mbledhjen e provave në objektet e shkatërruara dhe të dëmtuara nga tërmeti”, me qëllim vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

Në këtë kuadër, grupet e punës kanë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale në të gjitha objektet duke filluar me:
Marrjen dhe këqyrjen e dokumenteve të firmave që kanë ndërtuar objektet, të cilat janë dëmtuar nga tërmeti.
Marrjen dhe këqyrjen e dokumenteve nga bashkia respektive, lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimit, projektin, supervizimin, zbatimin, si dhe lejen e shfrytëzimit.
Marrjen dhe këqyrjen e dokumenteve në hipotekën respektive.
Marrjen dhe këqyrjen e dokumenteve në institucionet e tjera.
Si dhe në kryerjen e detyrave të tjera që do diktojë situatë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Në zbatim të këtyre detyrave, grupet hetimore kanë punuar me përkushtim e profesionalizëm, duke grumbulluar çdo provë që do i shërbejë hetimit.

Pas një pune intensive dyjavore, në përfundim të fazës së parë të punës, në bazë të provave të grumbulluara nga grupi i punës, Prokuroria e Rrethtit Gjyqësor Durrës, gjatë mbrëmjes së djeshme, lëshoi 17 urdhra ndalimi, nga të cilat, 9 prej tyre janë ekzekutuar dhe vijon puna në terren për gjetjen e personave të tjerë.

Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit.

Për këto arsye, mbështetur në provat e administruara në këtë procedim penal është bërë ndalimi i këtyre shtetasve:

1- Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

2- Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

3- Albrend Qetka, 35 vjeç, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

4- Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i vepres penale “Vrasja me dashje”.

5- Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

6- Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

7- Avdulla Osmani, 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

8-Defrim Celami, 44 vjeç, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës.

9- Nevjana Isufi, 45 vjeçe, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshuar si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Grupi i posaçëm, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe nxjerrjen e përgjegjësive për personat përgjegjës, për çdo rast që është evidentuar si pasojë e tërmetit të datës 26 nëntor.

Ndërkohë, vijon puna e pandërprerë në terren për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi, por për arsye hetimi nuk i bëjmë me dije gjeneralitetet e tyre. Theksojmë faktin se disa prej personave, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi janë larguar jashtë shtetit menjëherë pasi ra tërmeti.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias në transmetimin dhe nxjerrjen para kohe dhe të pakonfirmuara të lajmeve për urdhër-arreste apo arrestime, pasi këto lajme dëmtojnë hetimin dhe për rrjedhojë përbëjnë vepër penale.

Në kuadër të transperencës me median dhe publikun, Policia e Shtetit jep informacion zyrtar të konfirmuar edhe nga prokuroritë respektive kur lajmi ka të bëjë me vijimësinë apo cënimin e hetimeve.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se është tërësisht e vendosur dhe e përkushtuar për të garantuar rendin e sigurinë, për të luftuar krimin e organizuar, atë ekonomik e financiar duke çuar para drejtësisë personat përgjegjës.

Falënderojmë qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe i ftojmë sërish që të denoncojnë në 112 e Komsiariatin Dixhital çdo paligjshmëri duke u garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të pananshëm.

Tetë persona në kërkim, mes tyre dy ish-kandidatë të LSI-së për deputetë
Ndërkohë që për 8 persona që janë në kërkim vijon puna për t’i prangosur, disa prej të cilëve janë larguar jashtë vendit një ditë pasi ra tërmeti. Për Lutfi Minxhozin nga policia e shtetit nuk kemi të bëjmë me dekonspirim, pasi ata që u larguan jashtë vendit dhe që tani janë shpallur në kërkim “nuk kanë pasur dijeni për hetimin, njëri është larguar para tërmetit, të tjerët edhe për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar”. Mes personave në kërkim janë edhe Arben Qato së bashku me gruan Dëshira Qato, pronarë të Vila Palma. Po ashtu në kërkim është edhe Flamur Gjuzi, ish-drejtori i ALUIZNI-t Durrës. Të dy si Gjuzi dhe Qato kanë qenë ish-kandidatë për deputetë të LSI-së në qarkun Durrës në zgjedhjet parlamentare të 2017. Në kërkim është edhe ndërtuesi i banesës së familjes Lala në Kënetë, ku vdiqën 8 persona.

Emrat e personave në kërkim
Arben Qato pronar i Vila Palma
Dëshira Qato-shefe e urbanistikës në Kavajë (Gruaja e Arben Qatos)
Aldo Dakovelli, shef sektori në Kadastrën e Durrësit
Artemis Malko punonjës terreni në Kadastrën e Durrësit
Artur Cela, ish-drejtori i INUV
Flamur Gjuzi, ish-drejtori i ALUIZNIT Durrës
Artur Terziu, pronari i ‘Bar Barons’
Ndërtuesi i banesës së familjes Lala në Kënetë

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit