Balla: Avokati i Popullit, jo figurë aktive në jetën politike

Mos i humb

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot se, Avokati i Popullit nuk duhet të ketë një rol aktiv aktualisht si pjesë e një formacioni të caktuar politik.

Në një prononcim për mediet nga selia e Kryesisë së Kuvendit, Balla tha se, duhet të shohim një kandidaturë me reputacion në lëmin e jurisprudencës dhe të jetë i baraslarguar politikisht dhe jo si avokati i PD-së, i cili u mbështet nga opozita.

“Avokati i Popullit, siç e përcakton Kushtetuta, duhet të jetë i paanshëm politikisht. Arsyeja pse kemi refuzuar një kandidaturë të paraqitur nga PD ishte qartazi se ne nuk mund të votonim avokatin e PD-së si Avokatin e Popullit. Për sa kohë që kemi ndjekur këtë standard në procesin e zhvilluar deri tani, këtë parim duhet ta ruajmë. Ka plot nga kandidaturat që kanë shprehur interes. Në ditët në vijim komisioni duhet të mbyllë procesin e vlerësimit dhe pastaj vetë kandidatët të kërkojnë mbështetje me 28 firma”, tha Balla.

Sipas tij, komisioni i çështjeve ligjore nuk ka përmbyllur ende procesin e vlerësimit të kandidaturave.

“Në vijim i takon deputetëve të opozitës të mbështesin me 28 firma kandidatin dhe pastaj do flasim mes dy grupeve më të mëdha parlamentare që t’i japim vendit një Avokat Populli, që të mos jetë një figurë aktive në jetën politike”, shtoi Balla.

I pyetur mbi propozimin e opozitës për votim të detyrueshëm në zgjedhje nisur nga pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet vendore të 14 majit, Balla u shpreh se, këto propozime duhet të shqyrtohen të gjitha në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore.

“E kemi shtyrë afatin dhe të gjithë kemi rënë dakord që ky komision duhet të mblidhet dhe të marrë në shqyrtim të gjitha propozimet. Objekti i punës vjen nga raporti i ODIHR-it, por duhet të lëmë kohë të mjaftueshme për zbatimin e legjislacionit. Për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese duhet që në Kodin Zgjedhor të ndryshojë edhe formula e ndarjes së mandateve”, shtoi ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit