Zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku diskutoi me ministrin francez për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olivier Becht për planet zhvillimore të së ardhmes midis dy vendeve.
“Gjatë darkës zyrtare, të organizuar në Pallatin e Brigadave për nder të Presidentit Macron, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Emmanuel Macron përgëzuan nga afër kompaninë Voltalia, por ishte dhe një mundësi e mirë për të diskutuar më tej me kolegun, ministrin, Olivier Becht për planet zhvillimore të së ardhmes midis dy vendeve tona”, u shpreh zv/kryeministrja Balluku në një postim në rrjetet sociale.
Balluku deklaroi sot se investimet e kompanisë së ekselencës franceze “Voltalia” në Shqipëri, janë dëshmi e qartë e marrëdhënieve ekonomike të intensifikuara në mënyrën më optimale vitet e fundit.
“Shembulli “Voltalia” është një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë investitorët e tjerë dhe me kënaqësi kemi konstatuar se dhe “Total”, një tjetër kompani e madhe energjetike franceze, ka nisur tashmë investimet në Shqipëri”, u shpreh Balluku.


