Më 12 tetor, Kuvendi pritet të mbajë një seancë të posaçme për ngjarjet e zhvilluara në veri të Kosovës.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha sot, në përfundim të Konferencës së Kryetarëve se, ndonëse nuk kanë ende një rezolutë të unifikuar, do të punohet drejt një qëndrimi unifikues.
“Qëndrimi i përbashkët ka qenë të dilet me një qëndrim. Kreu i komisionit të jashtëm dhe nënkryetari do të punojnë gjatë ditëve për një draft të unifikuar”, u shpreh ai në një komunikim me gazetarët.
“Ka patur diskutime mbi kohën kur duhet të zhvillohet mocioni. Kemi theksuar se është çështje urgjente, që duhet të hyjë në agjendë një orë e më parë. Në përfundim është rënë dakord për seancë të posaçme dedikuar Kosovës. Koha e debatit do të jetë rreth 5 orë”, theksoi ai.
Bardhi nënvizoi se, “gjatë këtyre ditëve do bëhet përpjekje për të arritur me një rezolutë të përbashkët”.
“Republika e Shqipërisë duhet të jetë e unifikuar me Republikën e Kosovës, përfshi edhe kërkesën e tyre për një hetim ndërkombëtar”, u shpreh ai.


