Basha: Anëtarësimet në PD janë nga dëshira për ndryshim

Mos i humb

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se, anëtarësimet në PD janë nga dëshira për ndryshim.

“PD, jo vetëm që ka hapur dyert, por mbi 30% të anëtarësisë që ka marrë pjesë në procesin e organizimit, merr pjesë aktivisht në PD si anëtarë me të drejta të plota, me të drejtën për të zgjedhur dhe për të propozuar për herë të parë dhe pjesa më e madhe janë të rinj, janë të moshës 20-30 vjeçarë”, tha Basha në një intervistë televizive.

Sipas tij, Partia Socialiste është në një proces tkurrjeje.

Basha më tej theksoi se, programi i PD bazohet tek rikthimi i konkurrencës për të rikthyer shpresën.

“Ne kemi fokusuar energjitë tona tek ajo për të cilën qytetarët kanë më shumë nevojë sot se kurrë. Të rikthehet besimi tek politika si një mjet zgjidhjeje i problemeve të shoqërisë dhe jo si një biznes fitimprurës për një kastë politike që vetëm probleme iu sjell njerëzve, vetëm ka thelluar hendekun e pabarazisë, ka shtuar pasuritë dhe pushtetin e një kaste të vogël njerëzish, e një grupi të vogël njerëzish në politikë dhe afër politikës”, tha Basha.

Kreu i PD theksoi se, “11 vite pas ardhjes në pushtet, Edi Rama përballet sot me një shumicë shqiptarësh të cilët mendojnë që jo vetëm Shqipëria është në drejtimin e gabuar, por mendojnë se shkaktari i varfërisë, i gjendjes së dobët ekonomike, i rritjes së kostos të jetesës, i mungesës së perspektivës për fëmijët e tyre, është Edi Rama”.

Atëherë, shtoi ai, “këmbë e kësaj ure, nga shpresa tek besimi për ndryshim është ndërtimi i një alternative. Dhe këtu është edhe marrëdhënia e dyfishtë midis detyrimit më të madh që ka Partia Demokratike, si forca udhëheqëse e opozitës për ta ndërtuar këtë alternativë në të gjithë komponentët e saj, ofertën, ekipin, aleancën dhe natyrisht në fund fare do të jenë qytetarët ata që do të vendosin”.

“Ne mëtojmë që të sjellim një tjetër bilanc politik, që nuk matet me sa karrige, apo sa gjatë rri në karrige. Por çfarë programi ke për të ndryshuar realisht jetën e shqiptarëve dhe qeverisjen e vendit, cilësinë e qeverisjes së vendit. Ne kemi një vizion të qartë, baza e të cilit është funksionimi normal i një shoqërie mbi baza demokratike, të shtetit të së drejtës dhe të konkurrencës. Konkurrenca është viktima më e madhe e kësaj qeverie. Në rrafshin politik po se po përmes manipulimeve zgjedhore, në rrafshin e ekonomik meritokracia është viktima më e madhe. Ndaj në programin tonë rikthimi i konkurrencës në çdo fushë, është dhe mekanizmi më i fuqishëm për të rikthyer edhe njëherë shpresën, besimin se Shqipëria mund dhe do të kujdeset për të gjithë bijtë dhe bijat e saj”, u shpreh Basha.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit