Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në konferencën e mbajtur sot për mediet, foli për projektligjin për kalimin e pronave publike tek privatët, të miratuar dje në Kuvendin e Shqipërisë.
Ai tha se, “ky ligj është në bashkëpunim me mafien e pronave dhe me të ashtuquajturit investitorë strategjikë, që nuk është gjë tjetër veçse bashkëpunimi mes një grushti oligarkësh shqiptarë me politikanët e korruptuar të kësaj qeverie”.
Basha tha se, “departamenti Antikorrupsion në PD, e ka vendosur këtë çështje në listën e prioriteteve që do ta ndjekë në bashkëpunim me të gjithë faktorët antikorrupsion në vend, që nga organizatat joqeveritare, mediet investigative, SPAK dhe partnerët ndërkombëtarë dhe natyrisht me theks dhe destinacion të veçantë”.
“Para disa javësh, ndërkohë ky ligj po diskutohej në Kuvendin e Shqipërisë, në mënyrën tashmë të njohur të përpjekjes për të fshehur të vërtetat çka e pamë edhe tek ligji për amnistinë ku pretenduan për një kohë të gjatë që nuk do të përfitonin të korruptuarit dhe më pas u zbulua se afro 100 të dënuar nga SPAK dhe GJKKO, përfituan nga amnistia, edhe këtu pretenduan fillimisht se do të ishte thjesht transferim drejtorie nga një ministri në ministrinë tjetër, ku ndërkohë tinëzisht u futën dispozita ligjore, të cilat mundësojnë që përmes tjetërsimit në forma të ndryshme, ankandit, shitjes, këmbimit, pronat publike të vihen në dispozicion të transaksioneve të caktuara”, tha Basha.
Në këtë mënyrë, shtoi ai, “sipas sinjalizimeve të para që kemi, prona me vlerë në qendër të Tiranës, do të vihen në dispozicion të personave të shpallur ‘non grata’ pikërisht për shkak të korrupsionit dhe pjesëmarrjes së tyre në krim të organizuar dhe në ndikimin e paligjshëm në procese zgjedhore”.
“Të tjera prona me vlerë, prona publike për momentin me statusin pronë publike, do të vihen në dispozicion të oligarkëve që po rrënojnë bregdetin dhe po ndërtojnë pa asnjë transparencë, duke zbardhur dhe pastruar paratë e korrupsionit të qeveritarëve nga Vlora në bregdet, në qendër të Tiranës dhe kudo tjetër”, nënvizoi kreu i PD.
Ndaj, theksoi ai, “Partia Demokratike që e denoncoi këtë aferë sapo u publikuan të dhënat e këtij projektligji tashmë të miratuar dje nga votat e mazhorancës socialiste, nuk do të ndalet por do ta çojë këtë çështje në çdo instancë ligjore, kushtetuese dhe penale për të pamundësuar që mafia e pronave dhe bashkëpunimi mes oligarkëve të korruptuar shqiptarë dhe zyrtarëve të korruptuar shqiptarë të shkaktojë këtë dramë të dyfishtë”.