Basha me të rinj në Vlorë: Berisha të reflektojë dhe të tërhiqet

Mos i humb

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim me të rinj të qytetit të Vlorës, të enjten, vuri theksin tek listat e hapura dhe kufizimi i mandatit, si rruga për të dalë nga ajo që ai e cilësoi si rrethi vicioz i marrëveshjes së vitit 2008 mes mazhorancës dhe opozitës së asaj kohe.

“Nuk ka rëndësi nëse njëri merr, Blendi merr 9 mijë vota, Ismaili merr 5 mijë vota. Ismaili është i pari në listë dhe hyn Ismaili. Pse?!

Sepse kështu ka gjykuar kryetari i partisë. Këto janë listat e mbyllura që vazhdon e dikton të tjerë përfaqësues në Parlament nga ata që voton populli. Dhe pastaj kur shkojnë në Parlament, kur shkon në parlament Ismaili mban në fuqi të njëjtin ligj.

Sepse ai e di që në garë ka ardhur me 5 mijë vota. Po ta hapë listën, në Parlament do të vijë Blendi me 9 mijë vota. Ky është rrethi vicioz.  Ky është kurthi në të cilin jemi future prej 2008-ës”, tha Basha.

Për Bashën, listat e hapura janë mënyrë që deputeti të mos shkojë tek kryetari, por tek qytetari për të kërkuar besimin për të marrë mandatin në Kuvend.

“Listat e hapura janë një mundësi për t’i dhënë fuqi votës së qytetarëve, votës së rinisë. Me lista të hapura, jam i bindur se shumë deputetë do të mendojnë se jemi më mirë kështu se të kesh listën e hapur do të thotë të shkosh tek qytetari të marrësh votën.

Dhe jo vetëm kaq, por të shkosh tek votuesi javë për javë, ditë për ditë dhe të japësh llogari çfarë ke bërë me atë votën?!

Mund të mos biem dakord për shumë gjera, ne mund të kemi pikëpamje të ndryshme, por të paktën për këtë duhet të bashkohemi”,- tha Basha.

Basha më tej, nënvizoi se duhet ndjekur sistemi amerikan me mandate të kufizuara dhe jo pa limit.

“Meqënëse Presidenti ka mandate dy herë, pse Kryeministri mund të ketë mandate pafund?! Çfarë do të bëjë Kryeministri në mandatin e tretë që nuk i bëri në dy të parët?! Është një mënyrë për të frenuar egon e sëmurë për pushtet. Dhe e treta, Vetingu i politikanëve. Kjo vlen për prokuror, gjyqtar dhe punonjës të policisë. Kemi 5 vite që iu themi hajde ta bëjmë për politikanët. E kërkojmë edhe për politikanët. Thonë jo.
Pse jo?! Pse politikanët që kërkojnë standarde më të larta ndaj prokurorëve dhe policisë, nuk pranojnë këto standarde për veten e tyre?!”, shtoi Basha.

Ishkryetari i PD vlerësoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Partinë Demokratike, si mjaft të rëndësishme për realizimin e disa politikave në interes të qytetarëve.

“Pa diskutim të kesh mbështetjen e faktorit ndërkombëtareve në Shqipëri për çështje të ndryshme është e rëndësishme, shpesh-herë e domosdoshme. Kush thotë të kundërtën nuk thotë të vërtetën. Shumë prej arritjeve, përfshirë ligjin për “Dekriminalizimin” e kemi arritur për shkak të mbështetjes së ndërkombëtarëve, SHBA, BE dhe Britani e Madhe. Por, asgjë nuk mund të ketë sukses nëse nuk e ka themelin këtu, “Guri i rëndë në vend të vet!”,- tha Basha.

Basha shtoi se largimi i Berishës ishte një vendim i vështirë, por i duhuri për të ardhmen e Partisë Demokratike. Sipas Bashës, edhe Berisha duhet të marri të një vendim të tillë, për t’i hapur rrugë demokratëve për të ecur përpara drejt fitores në vitin 2025

“Unë e dija që pa marrjen e një vendimi të tillë, Partia Demokratike dhe demokratët do të futeshin në një kolaps, në një rrugë pa krye dhe për asnjë çast nuk pretendova të kundërtën. Dhe kjo, pa diskutim që më vuri para përgjegjësisë për të marrë atë vendim. E dëgjuat çfarë tha pas kësaj? Dëgjuat sulmet, baltën, shpifjet? Ku jemi sot?

Ku e kemi sot revolucionin që do e rrëzonte për 6 muaj Edi Ramën? Ku e kemi sot retorikën gjithë inflacion të shitjes së zgjedhjeve? Sepse derisa mora atë vendim, kjo retorikë nuk ekzistonte.

Shpifjet dhe balta që hidhen sot ndaj meje, është e njëjta që hidhte Edi Rama kundër meje. Po tani ku jemi? Jemi më mirë apo më keq? Pse jemi më keq? Sepse vendosi interesin e vet personal mbi interesat e demokratëve.

Nuk është kurrë vonë për të hedhur hapin e duhur. Dhe sot hapi i duhur është të reflektosh dhe në rastin e tij të reflektojë dhe të tërhiqet”, tha Basha.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit