Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me strukturat drejtuese të PD-së në qarkun e Gjirokastrës.
“Nisim punën për riorganizimin e forcimin e Partisë Demokratike. Pa humbur kohë duhet të jemi gati për përballjen me një pushtet që punon kundër interesave të qytetarëve”, u shpreh Basha.
Sipas tij, “dosja e inceneratorëve, si dhe rastet e mëparshme ku ministra, kryetarë bashkish e deputetë u arrestuan për korrupsion, apo u larguan nga politika për lidhjet me krimin, janë dëshmi se Edi Rama ka ndërtuar një shtet të të korruptuarve”.
“Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive e klienteliste dhe luftës pa kompromis kundër korrupsionit.
Paratë që sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve dhe llogaritë e oligarkëve do t’i mundësonin çdo qeverie t’u krijojë kushte studentëve të mos largohen e fermerëve subvencione për bujqësinë”, shtoi ai.
Basha tha se “përballja pa kompromis me korrupsionin, pastrimi i politikës, dhënia fuqi qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Parlament, vota e diasporës janë jetike në rrugën që kemi nisur për çlirimin e politikës dhe ekonomisë”.


