Kryedemokrati Lulzim Basha ishte sot në Shënavlash të Durrësit ku u takua me banorët e prekur nga tërmeti. Basha u shpreh se shumë prej tyre vijojnë të kalojnë ditët në cadra pa ngrohje e pa ushqim.
“Sot vizitova banorët e Shënavlashit, të harruar edhe nga propaganda e qeverisë. Pas traumës së tërmetit të 26 nëntorit, qytetarët janë futur tashmë në sfidën e mbijetesës.
Të braktisur nga qeveria e cila ka dështuar në gjithçka përveç propagandës çnjerëzore që nuk kursen as fëmijët që humbën prindërit, minëra familje janë lënë në mëshirë te fatit. Shumë prej tyre vazhdojnë të kalojnë netë të ftohta në çadra, pa ngrohje pa ushqim, në kushte të mjerueshme.
Kanë kaluar tre javë nga tërmeti dhe ende mijëra banesa nuk kanë vlerësim për gjendjen e tyre, e të tjera kane dy apo tre vleresime kontradiktore. Shumë qytetarë janë kthyer në banesat e tyre të dëmtuara ose të pa banueshme sepse nuk kanë një vend ku të qëndrojnë duke rrezikuar jetën e tyre.
Kjo fatkeqësi natyrore është kthyer tashmë në një fatkeqësi shtetërore.” u shpreh Basha.