
Në Shqipëri ka filluar takimi vjetor i përfaqësuesve të komisioneve të mbrojtjes dhe sigurisë nga parlamentet e Evropës Juglindore, i cili ka në fokus diskutimet për disa çështje.
Takimi i organizuar në mjediset e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë ka mbledhur së bashku përfaqësues nga parlamentet e vendeve të Evropës Juglindore, të institucioneve të tjera dhe përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile.
Turqia në këtë aktivitet përfaqësohet nga kryetari i Komisionit të Çështjeve të Brendshme të Parlamentit të Turqisë, Celalettin Güvenç dhe zëvendëskryetari i Komisionit Kombëtar të Mbrojtjes, Refik Özen.
Ruçi: Bashkimi Evropian duhet të ketë vend për të gjithë evropianët
Në hapje të takimit dyditor mbajti një fjalë përshëndetëse kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i cili theksoi se politika e jashtme dhe ajo e sigurisë në Shqipëri përputhet 100 për qind me atë të Bashkimit Evropian (BE).
Sipas tij, është domethënëse për promovimin e politikës së përbashkët evropiane të sigurisë dhe mbrojtjes dhe lidhjen e saj me konceptin strategjik të NATO-s, të diskutohet në këtë aktivitet në Tiranë.
“Diskutimi mbi perspektivën parlamentare të problemeve dhe mekanizmave mbikëqyrës në fushën e sigurisë është një sfidë e madhe për rajonin tonë, ku ndërthurja e problemeve të sigurisë, të demokracisë dhe zhvillimeve më të komplikuara janë më shumë se në zonat e tjera të kontinentit. Qeverisja e sigurisë është një punë jo fort e lehtë në Evropën Juglindore për shkak të mbivendosjes së çështjeve të trashëguara si nga historia, ashtu edhe nga ekonomitë e dobëta apo nga sistemet e pafuqishme të mirëqenies”, tha Ruçi.
Ai theksoi se “Kërcënimet transnacionale, terrorizmi, armët e shkatërrimit në masë, trafikimi, krimi i organizuar dhe rreziqe të tjera globale bashkëjetojnë në rajonin tonë si me demonët e trashëguar apo qoftë dhe ato që rikrijojmë periodikisht vetë ne”.
Ruçi theksoi më tej se Ballkani Perëndimor nuk është një rajon fqinj i Evropës, por është pjesë integrale e saj dhe u shpreh se: “Duhet të ndërgjegjësohemi se vendi i Ballkanit Perëndimor është vetëm një, Bashkimi Evropian, sepse në shtëpinë e përbashkët që quhet Bashkimi Evropian duhet të ketë vend për të gjithë evropianët pa përjashtim.”
“Politikat e sigurisë dhe mbrojtjes për ne dhe për rajonin e Evropës Juglindore lidhen ngushtë me vizionin për Evropën, vizionin e Bashkimit Evropian dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor”, tha kryeparlamentari i Shqipërisë.
Ermonela Felaj Valikaj, kryetare e Komisionit për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë, tha se siguria e secilit vend dhe qytetarëve kërcënohet në mënyra nga më të ndryshmet. “Një nga kërcënimet serioze për sigurinë është ai që njihet si krimi kibernetik ose krimi nëpërmjet internetit”, tha ajo në fjalën e saj përshëndetëse.
Në takimin dyditor do të diskutohet për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Evropën Juglindore, me fokus adresimin e sfidave në mbikëqyrjen e sigurisë në internet, mbikëqyrjen e komunikimeve elektronike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare dhe çështje të tjera.


