BB: Ballkanit Perëndimor i duhen 60 vite për të arritur nivelin e pagave të BE-së

Mos i humb

Vendeve të Ballkanit Perëndimor u nevojiten madje gjashtë dekada që të arrijnë nivelin e pagave të Bashkimit Europian (BE), nëse vazhdojnë të zhvillohen me shpejtësinë mesatare të realizuar mes periudhës 1995-2015, thuhet në raportin e Bankës Botërore (BB).

Raporti “Ballkani Perëndimor”: përshpejtimi i motorëve të rritjes dhe përparimit”, i cili u prezantua sot në Vjenë, shqyrton mundësitë e përshpejtimit të rritjes ekonomike dhe realizimin e shpejtë të përafrimit të nivelit të pagave të vendeve si Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina (BeH), Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Serbia me BE-në.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor në vitet e fundit kanë shënuar avancime në reformat e financave publike dhe ringjalljen e rritjes ekonomike, por qytetarët ndoshta ende nuk kanë ndjerë dobitë nga ky përparim”, ka thënë Linda Van Gelder, drejtore e Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Fokusimi në reformat strukturore mund të përshpejtojë rritjen ekonomike dhe të përmirësojë ekzistencën, ashtu që niveli i të ardhurave të arrijë pagat e Bashkimit Europian”, tha ajo.

Reformat dhe stabiliteti makroekonomik mund të sjellin rritje vjetore të shkallës mesatare deri në 5 për qind, për t’u mundësuar vendeve të Ballkanit Perëndimor përafrimin me BE-në në vetëm dy dekada, në vend të gjashtë, thuhet në raport.

Ndërsa rritja mesatare vjetore në rajon ishte 5 deri 6 për qind në periudhën para vitit 2008, që ishte më e shpejtë edhe se rritja e BE-së dhe rritja globale, pas krizës financiare globale ajo u përgjysmua – duke stopuar përafrimin e para krizës të vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardin jetësor të BE-së dhe duke imponuar gjetjen e modeleve të reja të rritjes, duke u bazuar në rritjen e produktivitetit dhe investimeve, rritjen e eksporteve dhe rol më të madh për sektorin privat.

“Rritja që përjetuam në rajon në vitet para krizës është dëshmi e potencialit të përgjithshëm ekonomik të Ballkanit Perëndimor”, tha Harald Waiglein, Drejtor i Përgjithshëm për Politikat Ekonomike, Tregjet Financiare dhe Doganat në Ministrinë e Financave të Austrisë, i cili bëri vërejtjet hyrëse në publikimin e raportit të sotëm.

“Tani është vendimtare të konstatohen prioritetet e politikave që mund të rrisin investimet në sektorin privat, të ndihmojnë thellimin e integrimit rajonal dhe të hapin vende pune”, shtoi ai.

Rritja e eksporteve, investimet, punësimi, e gjithë kjo, sipas raportit, janë prioritet për politikëbërësit ekonomikë.

“Forcimi i integrimit rajonal mund të ndihmojë në rritjen e eksportit si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) i cili duhet të dyfishohet për të arritur pjesën e eksporteve të PBB-së në ekonomitë e tjera të vogla në tranzicion, të cilat tani janë në BE, si dhe investimet private, në vendet ku sektori publik ende është shtytësi kryesor i ekonomisë, gjithashtu duhet të rritet. Produktiviteti i ulët në vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili rritet me ngadalësi, kërkon përmirësimin e mjedisit të biznesit që të mund të tërheqë investimet private dhe të stimulojë rritjen e ndërmarrjeve”, thuhet në deklaratën e Bankës Botërore.

Shkalla e papunësisë në rajon është gati dy herë më e lartë se në vendet e tjera të vogla në tranzicion që tani janë në BE.

Kur gjysma e popullsisë në moshë pune kërkon punë, dhe një e katërta e atyre që kërkojnë punë nuk mund të gjejnë, nevoja për rritjen e pjesëmarrjes në tregjet e punës në rajon mbetet vendimtar.

Kjo mund të arrihet duke shmangur dekurajimin për punë dhe njëkohësisht duke hequr pengesat për punësim me të cilat ballafaqohen punëtorët më të vjetër, të rinjtë, gratë dhe pakicat, thuhet mes tjerash në raportin e BB-së./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit