![]()
Bashkimi Europian (BE), duke shprehur shqetësim të thellë për sulmet e ndërmarra nga regjimi i Bashar al-Asadit dhe përkrahësi i tij Rusia në Idlib në pjesën veriperëndimore të Sirisë, dënoi sulmet me objektiv ndaj civilëve, spitaleve dhe shkollave.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, në një deklaratë me shkrim të bërë në emër të të gjithë vendeve anëtare ka shprehur shqetësimin e unionit për zhvillimet e ndodhura në Idlib.
“BE dënon ata që kryejnë këto sulme”, ka theksuar Mogherini duke bërë të ditur se shkelin të drejtën ndërkombëtare humanitare sulmet e regjimit të Bashar al-Asadit dhe përkrahësit të tij Rusisë të cilat kanë në objektiv civilët, institucionet shëndetësore dhe struktura të ngjashme.
Mogherini u bëri thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe ka bërë vlerësimin se “Paqja nuk mund të realizohet për aq kohë sa brutaliteti vazhdon. Nuk është e mundur zgjidhja ushtarake për problemin në Siri”.
Situata në Idlib
Në mars të vitit 2015, opozita vendosi kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më së shpeshti sulmohet nga forcat e regjimit.
Opozitarët ushtarakë, garantues i të cilëve është Turqia në kuadër të marrëveshjes historike të arritur më 4-5 maj 2017 në Astana në të cilën Idlibi dhe rrethinat u shpallën zonë e deeskalimit, më 17 shtator të vitit 2018 tërhoqën armët e tyre të rënda si rezultat i një marrëveshjeje tjetër midis Turqisë dhe Rusisë në Soçi.
Megjithatë, forcat e regjimit vazhdojnë pa ndërprerë sulmet e tyre pavarësisht Marrëveshjes së Soçit mes Turqisë dhe Rusisë, e cila kishte për qëllim të forcojë armëpushimin në Idlib. Në kuadër të Marrëveshjes së Astanas, Rusia është vendi garantues i regjimit të Asadit.
Sulmet e fundit të regjimit dhe mbështetësve të tij u intensifikuan teksa më 25-26 prill, në kryeqytetin e Kazakistanit, Nursultan, po mbahej takimi i 12-të midis Turqisë, Rusisë dhe Iranit.
Mbi 553 mijë civilë janë zhvendosur si pasojë e bombardimeve që nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Rusisë dhe Turqisë në muajin shtator.
Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR) ka bërë të ditur se 487 civilë janë vrarë dhe 1.495 janë plagosur nga sulmet e regjimit dhe mbështetësve të tij në zonën e deeskalimit që nga 26 prilli deri më 23 qershor.


