BE paralajmëron Turqinë, sanksione Bjellorusisë

Mos i humb

Liderët e Bashkimit Europian arritën ta zgjidhin ngërçin diplomatik duke dalë të premten me një qëndrim unanim për tensionet në Mesdheun Lindor dhe për situatën në Bjellorusi.

Në konkluzionet e samitit dyditor që nisi një ditë më parë në Bruksel, unioni apeloi Turqinë të heqë dorë nga pretendimet territoriale në Mesdhe që cenojnë sovranitetin e Greqisë dhe Qipros.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen, paralajmëroi se përndryshe Ankaranë e presin sanksionet.

“E duam një marrëdhënie pozitive dhe konstruktive me Turqinë. Kjo do të ishte patjetër në interesin e Ankarasë, por duhen ndalur provokimet dhe presionet. Nëse Ankaraja vazhdon kështu, BE-ja do përdorë të gjitha instrumentet në dispozicion. Nuk është kjo ajo që duam.”

Ndërsa Bashkimi Europian theksoi megjithatë zotimin për t’i ruajtur raportet pozitive me Turqinë kur vjen puna te sfidat e përbashkëta si emigracioni, për Bjellorusinë, nuk pati hezitime.

Në rrethanat kur vazhdojnë prej javësh protestat në ish-republikën sovjetike, BE-ja penalizoi të premten 40 zyrtarë të vendit të akuzuar për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale të gushtit dhe për dhunën e ushtruar ndaj atyre që kundërshtojnë regjimin e Aleksandër Lukashenkos.

“BE-ja veproi kundër atyre që kundërshtojnë lëvizjen demokratike dhe mendoj se ky është sinjali i rëndësishëm”-thotë Merkel.

“Lukashenko vetë nuk është në listën aktuale të sanksioneve por do e ndjekim situatën. Populli i Bjellorusisë ka të drejtën të vendosë të ardhmen e vet, me zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Deri pas mesnate, 27 liderët e unionit i fokusuan bisedimet edhe te çështje si raportet me Kinën, helmimi i kryeopozitarit rus, Aleksei Navalni, por edhe te përplasjet Azerbajxhan-Armeni në rajonin e Karabakut, duke bërë thirrje për mospërshkallëzimin e konfliktit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit