BE thirrje për tërheqjen e nismës për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale

Mos i humb

Bashkimi Europian ka bërë thirrje për tërheqjen e nismës në Kuvendin e Kosovës për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, me paralajmërimin se një vendim i tillë do të ishte i dëmshëm për raportet e Kosovës me BE-në.

Zyra e BE-së në Kosovë ka publikuar një letër në të cilën u bëhet thirrje 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët më 22 dhjetor të vitit të kaluar ndërmorën një nismë për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorisë Speciale të tërheqin të njëjtën.

Theksohet se nisma akoma është në procedurat parlamentare dhe si e tillë ajo shkakton zemërim të thellë në BE dhe në shtetet anëtare të saj.

“Në vitin 2014, Kosova u angazhua me BE-në në themelimin e Dhomave të Specializuara. Ky ishte një hap i rëndësishëm për të demonstruar angazhimin e Kosovës për sundimin e ligjit. Si rezultat, BE mirëpriti krijimin e Dhomave të Specializuara nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2015. Çdo përpjekje për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara dëmton seriozisht një angazhim të tillë dhe do të rrezikonte punën e përbashkët të BE-së dhe Kosovës për sundimin e ligjit të bërë vitet e fundit. Kjo do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në”, thuhet në njoftim.

Në të njëjtën kohë, BE ka përshëndetur deklaratat e fundit publike të bëra nga udhëheqësit politikë, siç thuhet, në mbështetje të respektimit të detyrimeve të Kosovës.

“Bashkimi Europian mbështet fuqishëm progresin e Kosovës në integrimin e saj evropian. Progresi i Kosovës drejt integrimit në BE, duke përfshirë përpjekjet e vërteta të Kosovës për të garantuar demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe pajtimin sot më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetje. Udhëheqësit e Kosovës duhet ta mbajnë Kosovën në mënyrë të vendosur në agjendën evropiane që rajoni i Ballkanit Perëndimor ndan, në përputhje me dëshirat dhe pritshmëritë e popullit të Kosovës”, theksohet në kumtesën e zyrës së BE-së në Kosovë./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit