Presidenti Bajram Begaj i dërgoi sot një telegram urimi Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.
Në mesazhin e tij, Begaj ndërsa përcjell urimet për këtë ditë vlerësoi marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve, të cilat këtë vit kremtojnë 30-vjetorin e tyre, por edhe lidhjen e sinqertë midis dy popujve, falë edhe diasporës së hershme shqiptare në Ukrainë.
“Në këtë 30-vjetor, si shenjë e dëshirës dhe e vullnetit tonë për të qenë sa më pranë Ukrainës dhe për të intensifikuar më tej bashkëpunimin, Shqipëria ka vendosur ta ngrejë nivelin e pranisë së saj diplomatike në Kiev”, u shpreh Presidenti.
Begaj ritheksoi qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së Ukrainës.
Ai siguroi se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por edhe me mbështetje diplomatike e ushtarake, pasi ndajmë vlera dhe interesa të përbashkëta euroatlantike.


