Berisha: Diktaturat meritojnë vetëm libra të zi

Mos i humb

Kryetari i Partisë Demorkatike, Sali Berisha në një bashkëbisedim me banorët e njësisë nr.8 për shpronësimet dhe legalizimet u ndal edhe tek projekti për Shqipërinë Madhështore, një projekt që do të mbështetet nga departamenti Brain Gain.

Sipas Berishës puna e këtij departamenti është një punë në themelet e asaj Shqipërie që Partia Demokratike dëshiron të ndërtojë.

“Së pari një mirënjohje të pakufishme anëtarit dhe drejtuesit të Departamentit Brain Gain, departament i një shprese të madhe për PD-në dhe shqiptarët. Departament i përbërë nga burra, gra, djem dhe vajza, nga të rinj atdhetarë, të përkushtuar, të cilët kudo që janë kanë frymëzim dashurinë e tyre për vendin, dëshirën e tyre që dihet që kanë përfituar eksperiencat, t’i vënë në shërbim të vendit të tyre. T’i vënë në shërbim të PD-së. Fillimi i punës së këtij departamenti ishte një projekt midis realizimit dhe jorealizimit. Por është në meritën e madhe të Andi Mustafajt, drejtuesit të tij dhe të gjithë anëtarëve të këtij departamenti që e shndërruan atë me përkushtimin, ekspertizën në një departament të vërtetë Brain Gain, për PD-në dhe shoqërinë shqiptare.

Dhe unë, duke shprehur mirënjohje të pakufishme ndaj tyre, i garantoj se në udhëtimin e saj, PD beson dhe është e vendosur që ata të marrin rolin që meritojnë, rolin që shqiptarët presin nga të rinjtë dhe të rejat e shkolluar, bijtë dhe bijat e tyre të mirëshkolluar, që do vijnë dhe do punojnë për të ndihmuar në projektin më të mirë që shqiptarët kanë pasur ndonjëherë para tyre, projektin e Shqipërisë Madhështore. Të dashur miq, puna e këtij departamenti është një punë në themelet e asaj Shqipërie që ne duam të ndërtojmë. Dhe cilido që dëshiron të kuptojë programin e PD-së për Shqipërinë Madhështore, i sugjeroj të lexojë dy veprat themelore të këtij departamenti, ‘Punët e Mira të PD’ dhe ‘Librin e Zi’ të regjimit të sotëm. Duke lexuar këto dy vepra, programi për Shqipërinë Madhështore, që kjo madhështore të duket distancë, të duket e ekzagjeruar, të duket edhe ndonjëherë edhe më shumë se e ekzagjeruar, të bëhet real, të bëhet plotësisht i kapshëm, të bëhet frymëzues për çdo demokrat dhe qytetar”, u shpreh Berisha.

Ndër të tjera Berisha u ndal edhe tek libri Punët e zeza’ ku referuar qeverisë u shpreh se diktaturat meritojnë vetëm libra të zi.

“Sot ne jemi këtu për librin e tyre ‘Punët e zeza’. Kanë zgjedhur një titull shumë të merituar. Kanë zgjedhur ndoshta të vetmin titull që meritonte ky subjekt, kjo tematikë, kjo çështje. Diktaturat meritojnë vetëm libra të zi. Ne këtu në Shqipëri kemi rënë në një fatkeqësi të dyfishtë. Së pari, në një diktaturë. Së dyti, në një diktaturë, të cilën Europa kurrë nuk e ka pasur. Kontinenti ynë ka njohur të gjithë format e diktaturave. Ka njohur diktatura teokratike në mesjetën e tij dhe më vonë. Ka njohur diktaturat naziste, komuniste, ka njohur edhe juntat ushtarake. Por nuk ka njohur diktaturat e bandave, e drogës, e krimit. Kur 20 vite më parë lexoja Samuel Hantigtonin, një libër të tij për diktaturat, gjej aty se ai shkruante se forma më e zezë e diktaturës, më e zezë se sa diktatura naziste, komuniste apo juntat, është diktatura e bandave, diktatura e drogës. Dhe ai jepte argumentet e veta. Nuk e mendoja kurrë që do vinte një ditë që do përballemi në Shqipëri me një diktaturë të tillë.

Vështirësia jonë është e madhe sepse ky lloj regjimi nuk është njohur në Europë. Në Europë të flasësh për diktaturë komuniste, naziste, por edhe teokratike, ka një memorie. Por Europa nuk ka asgjë të regjistruar për diktaturat e bandave, e drogës. Diktatori i Tiranës, i cili nuk duhet të harrojmë kurrë ta themi, është pasardhës direkt i një xhelati të diktaturës komuniste, që firmosi, krahas firmës së Ramiz Alisë, për të varur në litar një poet mendjendritur, një poet të jashtëzakonshëm siç ishte Havzi Nela”, shprehet kreu i PD.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit