Berisha: Indeksimi i pensioneve, 3% më i ulët se sa vlera zyrtare e inflacionit

Mos i humb

Kryetari i grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot në një deklaratë për mediet se, çmimet në Shqipëri janë 7 për qind më të shtrenjta se mesatarja në vendet e BE.

“Sirenat e dhimbjeve të skamjes, urisë dhe varfërisë po bien në çdo qoshe në të katërt anët e vendit. Shqiptarët, çdo muaj, përballen me rritje çmimesh, ushqimet sot në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Itali, Greqi, janë përafërsisht sa në Gjermani dhe janë 7 për qind më të shtrenjta se në mesataren e vendeve të BE”, tha Berisha.

“Rritja e çmimit të ushqimeve, sipas statistikave zyrtare, është 11.5 për qind, sipas statistikave reale është 13.5 për qind dhe kjo godet në mënyrën më të egër pensionistët, të papunët dhe familjet me ndihmë ekonomike”, u shpreh Berisha.

“Këto çmime, e bëjnë Shqipërinë një vend të pajetueshëm, e bëjnë jetën në Shqipëri të papërballueshme. Unë mund t’u them se 48 për qind e totalit të pensionistëve shqiptarë, janë me pagesa të pjesshme”, theksoi ai.

Kështu, shtoi Berisha, “në vitin 2022, nga 481.420 përfitues të pensionit të pleqërisë, 231.722 prej tyre janë me pagesë të pjesshme”.

“Vendimi i qeverisë për të sjellë ligjin në parlament për indeksimin e pensioneve në masën 8 për qind është absolutisht hipokrizi në sensin që nuk indekson as inflacionin. Kjo përqindje është 3 për qind më e ulët sesa vlera zyrtare e inflacionit dhe 5.5 për qind më e ulët sesa vlera reale e inflacionit”, tha Berisha.

Berisha nënvizoi se sa i përket rritjes së çmimeve ka vetëm një zgjidhje, vendosja e minimumit jetik prej 200 eurosh për person.

“Në të gjitha aspektet, ka vetëm një zgjidhje emergjente dhe kjo zgjidhje është vendosja e minimumit jetik për të gjithë shqiptarët. Vendosja e minimumit jetik, e llogaritur kjo nga Avokati i Popullit dhe i përllogaritur me ndihmën e ekspertëve më të mirë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, pra, vendosja e tij sipas kësaj shifre është përgjigjja e vetme e domosdoshme ndaj situatës alarmante të krijuar me rritjen e çmimeve të produkteve bazë të jetës së qytetarëve”, u shpreh Berisha.

“Në këtë kontekst, PD ka dorëzuar në parlament prej disa muajsh, ligjin për minimumin jetik. Ajo do bëjë të gjitha përpjekjet për votimin e kësaj ligji, i cili është plotësisht i përballueshëm”, tha ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit