Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim elektoral në Malësi të Madhe, ku kërkoi mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Isa Ramaj.
Berisha shprehu bindjen se, Malësia e Madhe e ka marrë vendimin e saj.
“Lutja ime është të mbledhim çdo votë në çdo skaj të kësaj malësie. Edi Rama është qeveritari i parë që i thotë qytetarëve mos dilni në votime. Ky ka frikë dhe tmerr nga vota juaj. Kjo tregon se ai është i pashpresë. Ndaj dhe ne duhet të votojmë të gjithë ndryshimin, të votojmë Isa Ramën”, tha Berisha.
Sipas tij, “çdo qytetar i Malësisë së Madhe kudo që ndodhet në këtë trevë, në Shqipëri apo emigracion, duhet të bëjë çdo përpjekje të votojë më 14 maj”.
“Të votojë, sepse kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk kanë pasur një qeveri që t’i ketë vjedhur deri në palcë, e cila t’i ketë plaçkitur ata në çdo gjë, e cila t’u dyfishojë bizneseve taksat, e cila iu dyfishon çmimet. Sot, me rritjen njëvjetore të çmimeve, secili nga ju harxhon një rrogë më shumë për të blerë ushqimet, dy pensione më shumë”, tha ai.
Berisha tha se, 14 maji është një ndarje e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Është ndarja me një regjim që përzuri me përçmim mbi 1 milion shqiptarë në 8 vite, më shumë se çdo luftë, se çdo murtajë apo fatkeqësi natyrore. Po përballen dy kultura, dy rryma. Njëra është e juaja, që vjen e paraqet programin, që vjen me transparencë para jush. Kurse tjetra është e bodrumit të Edi Ramës. Asnjë kandidat i tij nuk ka guxuar të dalë para jush në ekranet televizive apo në shesh dhe të debatojë me kandidatët tanë”, tha Berisha.


