Berisha: Në 2013 kishim rrogat më të larta në Ballkan, sot kemi rrogën më të ulët

Mos i humb

Kryetari i grupimit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në një takim në Mat se, “në 8 vite, si në asnjë vend tjetër në planetit, si një asnjë vend tjetër në luftë civile, si në asnjë vend në çfarëdolloj lufte, nga Shqipëria janë larguar 34% e popullatës”

“Vetëm në hapësirën e BE-së janë larguar 937 mijë qytetarë. Ndërkohë Shqipëria vetë ka brigjet më përrallore, ka depozitat minerare më të fuqishme të rangut botëror, ka njerëz punëtor. Shqipëria është vend i bekuar në ujëra, e kanë quajtur me të drejtë ‘Norvegjia e Ballkanit’. Mati është një vend i bekuar me miniera, ujëra dhe njerëz punëtorë dhe megjithatë shqiptarët ikin dhe vetëm ikin. Ikin sepse ata vidhen çdo ditë”, tha Berisha.

“Ishte një arritje historike për kombin, i cili ç’është e vërteta, dekada dhe shekuj ishte rropatur në varfëri, por arriti një ditë, arriti një vit, në vitin 2008 të dalë më i paguar se kombet tjera të rajonit. Të lërë mbrapa për rroga dhe pensione të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë edhe dy vende të BE-së, Rumaninë e Bullgarinë. Kjo falë mundit, djersës së shqiptarëve, pasurisë së këtij vendi, por edhe vullnetit të pandryshueshëm të PD-së që ti shndërrojë ato pasuri në mirësi për qytetarët shqiptarë, që të bëjë gjithçka që jeta e tyre të vijë në përmirësim”, u shpreh Berisha.

“Ku jemi katandisur sot? Sot kemi me rrogën më të ulët në Ballkan dhe Europë. Sot rrogat në Shqipëri janë 30-50 % më të ulëta se në Kosovë. Sot çdo pensionist ka një pension me fuqi blerëse, të paktën 30% më të ulët se sa në vitin 2013 për shkak të rritjes së çmimeve. Sot çdo rrogëtar, ka një rrogë me fuqi blerëse të paktën 30% më të ulët se sa në vitin 2013 për shkak të rritjes së çmimeve”, theksoi Berisha.

Pra, shtoi ai, “sot ka një varfëri të frikshme në rritje. Edhe në 2013 nuk ishim të pasur, por kishte një varfëri në zvogëlim, jepte shpresë se çdo vit do të ishim më mirë. Dhe të gjitha mundësitë, absolutisht çdo mundësi ekzistonte që çdo vit të ishim më mirë, të ngjiteshim më lart, që çdo vit të rriteshin rrogat dhe pensionet, çdo vit të përmirësohej më shumë infrastruktura juaj, shkollat, spitalet, rrugët, vaditja dhe çdo gjë tjetër”.

“Por kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi sepse fondet vidhen, sepse erdhi në pushtet një sekt që ka vjedhur shqiptarët sa kurrë ndonjëherë një regjim i huaj apo vendas në historinë e tyre. Erdhi në pushtet një regjim i cili vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh në çdo punë publike nga 70-90 % shumave”, tha Berisha.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit