Berisha: T’i rikthejmë vendit pluralizmin

Mos i humb

Kryetari i grupit të Rithemelimit në PD, Sali Berisha mori pjesë sot në prezantimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kuçovës në zgjedhjet e 14 majit, Lefter Maliqi.

Në fjalën e tij Berisha tha se “më 14 maj, votojmë qeveritarët vendorë, por e vërteta është se në 14 maj ne kemi në dorë njërin nga vendimet politike më të rëndësishme të jetës tonë. Ne kemi në dorë që në 14 maj të votojmë së pari për të rivendosur pluralizmin politik në Shqipëri. Nëse ne analizojmë qetësisht se si ka mundësi që në 8 vite ne rrokullisemi në këtë mënyrë, si ka mundësi që braktisim këtë tokë sikur të ishte e mallkuar dhe jo vend i bekuar. Si ka mundësi që ne në vend që të përmirësohemi çdo vit, në tërësi shkojmë duke u varfëruar”.

“Të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët; regjimi arriti të humbasë çdo lidhje me qytetarët, të vendosë të gjitha pushtetet në duart e tij, të vendosë monizmin. Monizmat janë fatkeqësitë më të mëdha të kombeve, qoftë ata ideologjike, siç e kemi përjetuar ne atë marksist-lelinist, qoftë ato fetare teokratike, qofshin këto të cilat quhen në doktrinë mobokraci, apo pushtete të bandave dhe krimit”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se “ne jemi një forcë politike e cila mbetet e pamposhtur për dy arsye.
E para; idealet dhe kauza jonë është e drejtë, e ndershme, fisnike, është kauza e lirisë.
E dyta ne gabojmë, por njohim dhe korrigjojmë gabimet tona. Ne nuk besojmë kurrë në të pagabueshmit, përkundrazi, analizojmë, shqyrtojmë, korrigjojmë. Ndaj dhe ne në statutin tonë shkruajtëm; PD nuk bojkoton kurrë zgjedhjet dhe kurrë nuk do t’i bojkotojmë më.
Kështu që në 14 maj, demokrate e demokratë, qytetarë të të gjitha forcave politike që e doni këtë vend dhe pluralizmin, duhet të ngrihemi në lartësinë e përgjegjësive tona. Ti rikthejmë vendit pluralizmin, të largojmë monizmin me votën tonë. Monizmi është fatkeqësi e madhe kombëtare”.

“Monizmi është mungesë lirie, liria është oksigjeni i shoqërisë, është oksigjeni i mjedisit të njeriut. Pa liri nuk ka jetë. Pa liri ka vetëm rrënim, ndaj dhe ne po largohemi dhe po largohemi nga Shqipëria”, tha Berisha.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit