Berisha: Tirana po zien, një revoltë e jashtëzakonshme pritet të shpërthejë

Mos i humb

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sërish sot se pronari kryesor i djegësit të Tiranës, është kryebashkiaku Erion Veliaj.

Sipas tij kryebashkiaku qëllimisht e kaloi me firmën e tij miratimin e kontratës për djegësin e Tiranës për shkak se nuk kishte ⅗ e votave të nevojshme në Këshillin Bashkiak.

“Veliaj nuk është myshteri i djegësit të Tiranës, por është pronari dhe hajduti kryesor në këtë vjedhje. Veliaj tha që përgjegjësi të mbajë ai që ka bërë gabimet. Aktet dhe firmat, nuk janë gabime por krime të rënda penale dhe mbajnë firmën e Veliajt. Rezulton se kontrata e djegësit të Erion Veliajt, e cila në 30 vite u kushton taksapaguesve rreth 1 miliardë euro, nga të cilat 450 janë pagesat për mbetjet e djegshme dhe 450 të tjera janë për dherat dhe inertet, pjesa tjetër janë të gjitha fitime që nxirren nga shitja e hekurit, letrës, etj. Kjo ngarkesë 30 vjeçare, 1 miliardë euro mbi shpatullat e taksapaguesve kalon vetëm me firmën e Veliajt, në dhunim të kushtetutës, pa miratimin e këshillit bashkiak. Kjo për faktin se ai nuk kishte ⅗ dhe miratimi në këshill i kësaj barre të rëndë kërkonte ⅗ e votave”, tha Berisha.

Sipas tij “Veliaj ka kryer një krim të shëmtuar se ka marrë përsipër të gjitha detyrimet e kontratës që nuk e ka kaluar në Këshillin Bashkiak. Në përgjigje të shkresës që i dërgon Gjiknuri, aso kohe ministria që duhet të bënte pagesat për djegësin, Veliaj shkruan “Bashkia pranon se është vënë në dijeni për detyrimet e kontratës dhe angazhohet për të gjitha detyrimet që rezultojnë si të tilla për Bashkinë e Tiranës duke përfshirë kryerjen e të gjitha pagesave sipas çmimit 29 euro për ton, pa tvsh, ose çdo çmimi të modifikuar në bazë të kontratës””.

“Sekuestrimi gjysmak për të mos thënë dhe klientelist i SPAK që u duartrokit aq shumë lejon pagesat kriminale, të hedhura poshtë nga KLSH në kundërshtim me kontratën 29 euro për ton, ndërkohë që nuk digjet një kg. SKAP i partisë nuk ka guxuar të urdhërojë anulimin e tarifës 29 euro, të urdhërojë detyrimin antiligjor kriminal të ndërtuesve dhe bizneseve për të depozituar inertet dhe dherat në fushën e Sharrës. Për këtë SKAP nuk ka një fjalë. Tre polici janë marrë me garantimin për të detyruar bizneset për të dorëzuar në Sharrë inertet dhe dherat, policia e Shtetit, Policia e Bashkisë dhe Policia e Agron Malajt i Burrelit.  Cdo ditë që kalon e bën më të rëndë dhe kundërmuese vjedhjen e Shekullit dhe nxjerr në pah pronarët e vërtetë të saj, ku më kryesi është Erion Veliaj. Tirana po zjen nga një revoltë e brendshme e jashtëzakonshme e cila së shpejti pritet të shpërthejë dhe do ti tregojë vendin autorëve të vjedhjes së Shekullit”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit