Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas një bashkëbisedimi që zhvilloi demokrati Lulzim Basha me Komisioneren e BE, Mariya Gabriel. Rama e cilëson komunikimin e tyre si një ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE.
Më tej ai shton se Komisioni Evropian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale, ndërsa shton se pret përgjigje zyrtare e publike nga Brukseli.
“Dikush në Bruksel duhet t’u thotë komisionerëve që harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Europës, për të bërë videomuhabete elektorale me Lulëzim Bashën, se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE!
Në dijeninë time Komisioni Europian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Europës zgjedhin qeveritë e tyre!”, shkruan Rama.


