
Zoti Nasto shton se edhe arkëtimet nga TVSH-ja kanë rënë në Buxhetin e Shtetit, ndërkohë që çmimet janë rritur: “Në Buxhetin e Shtetit është futur 9% më pak sesa në vitin 2017. Kjo do të thotë që kjo reformë është e dështuar komplet. Çmimet janë rritur deri në 32%”.
Tjetër element që nënvizon Shoqata e Biznesit të Vogël është rritja e evazionit fiskal, pasi subjektet nuk deklarojnë xhiron reale për shkak të taksave: “Po bëhet evazion si nga firmat e mëdha, që nuk çojnë kupon tatimor, ashtu edhe nga biznesi i vogël”.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në Shqipëri është 20% e çmimit final të shitjes së mallit apo shërbimit. Nga prilli i këtij viti, qeveria futi në skemën e TVSH-së bizneset me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë. Gjithsej janë përfshirë rreth 10 mijë biznese të reja që i nënshtrohen tashmë regjimit të Tatimit të Vlerës së Shtuar./Top Channel/


