Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, ka zhvilluar një takim me strukturat e PL-së në qytetin e Shkodrës.
Gjatë takimit, Blushi u ndal tek arrestimi i kreut të PL-së, Ilir Metës. Sipas Blushit, arrestimi i tij është bërë pa asnjë provë, pa asnjë fakt penal, pa asnjë dëshmi.
“Vetëm sepse SPAK është shndërruar në një strukturë kriminale, që sot garanton imunitetin politik të kësaj qeverie”- tha Blushi.
Duke folur për buxhetin e viti të ardhshëm, Blushi e cilësoi atë si antisocial, ndërsa theksoi se Rama nuk ka asnjë vullnet për të ndihmuar Shkodrën.
“Ky buxhet sot parashikon vetëm 170 lekë mbështetje në muaj për një pensionist shkodran, sepse ky buxhet parashikon 0 rritje pagash, sepse ky buxhet parashikon 0 rritje të ndihmës ekonomike, sepse ky buxhet parashikon 0 ndihmesë për të papunët, numri i të cilëve edhe vitin e ardhshëm parashikohet në rritje”- tha Blushi.
Blushi u kërkoi anëtarëve të PL-së që të nisin takimet derë më derë për të prezantuar programin e tyre.
“5 prioritetet tona për 4 milionë shqiptarë plus, një program i cili garanton mirëqenien për çdo qytetar shkodran, sigurisht i jep fund shpopullimit dramatik të këtij qyteti me një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik por edhe kulturor”- tha Blushi.
Blushi nënvizoi se për Partinë e Lirisë prioritet është arsimi gjithashtu. Më tej ai shtoi se PL ka një program që garanton shndërrimin e Shqipërisë në një Fuqi Eksportuese, në mënyrë që prodhimet vendase të Shkodrës të eksportohen në Rajon dhe në tregjet Ndërkombëtare.


