Boçi: Do të vazhdojmë luftën tonë në një përballje pa kthim

Mos i humb

Nënkryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Luçiano Boçi u shpreh sot se “sulmet politike ndaj kreut të partisë Demokratike Sali Berisha dhe opozitës në tërësi ishin absurde, arbitrare, antikushtetuese dhe në kapërcim të ligjeve”.

Në një konferencë për medie, Boçi bëri një analizë të zhvillimeve gjatë vitit që lamë pas, ndërsa u shpreh se “vendimet e SPAK dhe GJKKO për të arrestuar kreun e opozitës me hetime, urdhra e vendime politike,rikthyen dhe njëherë metodat famëkeqe të përdorura në diktaturë nga sigurimi i shtetit dhe drejtësia e ashtuquajtur popullore”.

“I gjithë procesi ndaj Sali Berishës është një proces politik me objektiva e synime të qarta politike, për të heshtur dhe goditur jo vetëm Sali Berishën, por për të heshtur dhe goditur në themel Partinë Demokratike, shoqërinë shqiptare, për të shuar të vërtetat denoncuese të dala prej saj dhe për t’i shtruar rrugën këtij pushteti të korruptuar që ai të vendosë sundimin e tij”, tha ai.

Sipas Boçit, në sinkron me qëllimet politike të këtij procesi, ishte dhe vendimi i Gjykatës së Lartë, i cili mban pezull e tërheq zvarrë pa asnjë arsyetim ligjor statusin juridik të Partisë Demokratike duke mos konsideruar vullnetin e Kuvendit kombëtar të 11 dhjetorit dhe statutin e Partisë Demokratike.

“Arena politike u dominua nga sulmet e dirigjuara të mazhorancës e cila hodhi në veprim kundër opozitës çdo aset kriminal, çdo antiligj, çdo para korrupsioni e çdo vendim parlamentar të korruptuar, për ta eliminuar, për ta përçarë e për t’i ngushtuar asaj hapësirën jetësore në parlament dhe përtej tij”, tha ai.

Boçi foli edhe për situatën ekonomike në vend, ndërsa theksoi se “mirëqenia e qytetarëve, vijueshmëria dhe qëndrueshmëria e bizneseve dhe tërheqja e investimeve të huaja në përgjithësi u goditën, duke treguar për një zhvillim të paqëndrueshëm dhe problematik”.

Boçi siguroi se PD do të ofrojë në 2024 e në vazhdim shpresë dhe besim, duke dëshmuar para shqiptarëve jo vetëm aksionin pa kthim, por dhe duke shpalosur alternativën për një Shqipëri më të mirë e të zhvilluar, me ekonomi të fortë, me arsim cilësor, e shëndetësi shërbyese.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit