Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari u shpreh sot në një deklaratë për mediet, se refuzimi i amendamenteve të propozuar nga këshilltarët e Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës, tregojnë qartë mungesën e vullnetit për të kthyer vëmendjen tek qytetarët.
Sipas tij, amendamentet e propozuara nga Partia e Lirisë kishin të bënin me uljen e barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset në Tiranë, përmirësimin e administrimit të taksave dhe tarifave vendore nga bashkia.
“Partia e Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës propozoi: Uljen me 50% të nivelit të taksës së tabelës për efekt reklamimi në formë elektronike. Uljen e nivelit të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 8% në 4% të vlerë së investimit. Përgjysmimi i tarifës për bizneset. Reduktimi i tarifës për marrjen e një leje punimi nga 1% të investimit për leje ndërtimi në 0.5% të investimit.
Reduktimin e tarifës për zënien e hapësirave publike nga 200-1500 m2 që është aktualisht në 100-750 lekë për metër katrorë. Uljen me 50% të tarifës së parkimit publik. Uljen e çmimit actual të ujit për abonentët familjarë nga 65 lekë për metër kub në 43 lekë për metër kub”, u shpreh ai.
“Qytetarët në 2024 do të përballen me një politikë fiskale që është vetëm në shërbim të Erion Veliajt, drejtorëve të tij që nuk kthehet në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të Tiranës”, tha Braimllari.


