Bretkosat dhe tërmeti

Mos i humb

 

 

Tërmeti i Kinës. Një tërmet i cili ka shkatërruar zona të shumta, ka zhdukur njëqind mijë njerëz dhe ka zhvendosur qindra mijëra të tjerë.

Është paralajmërim nga Allahu i Lartësuar dhe prej llojeve të dënimit të lehtë, për të cilin Allahu i Madhërishëm thotë:

“Dhe, Ne do të bëjmë që të shijojnë një dënim më të lehtë në këtë jetë, para dënimit të madh në jetën e përtejme, me qëllim që të kthehen në rrugën e drejtë.” (Sexhde: 21)

Ky paralajmërim s’është specifik vetëm për kinezët, por për njerëzit mbarë, në mënyrë që t’i kthehen Zotit, Krijuesit, Furnizuesit të tyre dhe të pendohen për mëkatet dhe gabimet e tyre.

Por fenomeni i çuditshëm, i cili i ka mahnitur shkencëtarët është largimi i një numri të madh bretkosash drejt një vendi të sigurt. Banorët e qytetit të goditur nga ky tërmet kanë vërejtur këtë dukuri, por pa i kushtuar ndonjë kujdes, por më pas është mësuar se Allahu i Madhërishëm i ka pajisur këto krijesa me organe paralajmëruese, të cilat i ndiejnë frekuencat shumë të ulëta që shfaqen nga toka para ndodhjes së tërmetit. Ata zëra nuk i dëgjojnë njerëzit, por i dëgjojnë bretkosat, tregohen vigjilentë dhe largohen nga vendi i rrezikut.

Kjo dukuri nuk mund t’i kalojë besimtarit pa i ardhur në mendje Fuqia e Allahut të Gjithëfuqishëm dhe se Ai nuk krijoi asnjë krijesë kot, por çdo krijesë kryen funksionin, detyrën dhe qëllimin e vet, madje edhe mund të përfitohet prej tyre. Dhe, në të vërtetë, sot shkencëtarët qëndrojnë në laboratorët e tyre me qëllim që të zbulojnë fshehtësinë e bretkosave dhe orvaten të përfitojnë nga ato për paralajmërimin e tërmeteve dhe fatkeqësive.

Shkencëtarët kanë mësuar se disa kafshë i ndjejnë frekuencat e zërave të ultë, të cilat i lëshon toka si sinjal për afrimin e tërmetit. Mirëpo aparatet e shkencëtarëve, me gjithë përparimin e madh teknologjik, nuk mund t’i analizojnë këto frekuenca dhe paralajmërimet për tërmete. Kësisoj, këto krijesa gjithashtu i janë nënshtruar njeriut, me qëllim që ai të mësojë prej tyre. Këtu qartësohet fjala e Allahut të Plotfuqishëm, që thotë:

“Ai ka vënë në shërbimin tuaj çka gjendet në qiej dhe në Tokë, të gjitha janë prej Tij. Me të vërtetë, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë.” (Xhathije: 13)

Shkencëtarët gjithashtu deklarojnë se shumica e kafshëve dhe gjallesave, si shpezët, elefantët, balenat, peshqit dhe të tjerët, kanë mundësinë e paralajmërimit për tërmetet, uraganet dhe fatkeqësitë natyrore.

Të vegjlit e bretkosave ikin dhe grumbullohen në vende të sigurta larg zonave të tërmetit, i cili ka goditur vendin. Bretkosave, për të cilat mendojmë se nuk logjikojnë, Allahu u ka dhënë mundësinë e dallimit të frekuencave të ulëta të tërmeteve. Për njerëzit është e pamundur t’i ndiejnë ato, por bretkosat i dallojnë. Meditoni për fuqinë e Allahut të Lartësuar te këto krijesa të pafuqishme!

Të mendojmë dhe të kuptojmë mëshirën dhe dhuntinë e Allahut ndaj nesh. Të nxitojmë të punojmë veprat e mira, në mënyrë që të na shpëtojë Allahu nga këto fatkeqësi që pllakosin tokën sot. Atëherë, të angazhohemi të bëjmë lutje ngase Allahu i Lartësuar thotë:

“Lutjuni Zotit tuaj përulshëm dhe ngadalë! Njëmend, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin. Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë rregulli, ndërsa Atij lutjuni me frikë dhe shpresë. Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve.” (A’raf: 55-56)

Përktheu: Almedin Ejupi

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit