
Në fjalën e tij në seancë plenare, ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati, u shpreh se po jetojmë në një periudhë eksperimentesh të rrezikshme, ndërsa theksoi se është braktisur edhe interesi kombëtar.
“Po jetojmë në një periudhë eksperimentesh të rrezikshme. Eksperiment ishte djegia e mandateve nga ana e opozitës, eksperiment për mua është mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore, eksperiment është largimi nga përgjegjësia për konstituimin e organeve të drejtësisë dhe të organeve kushtetuese, vajtimi për mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, eksperiment po bëhet me parimet themelore të së drejtës, me sigurinë juridike, me pritshmëritë legjitime, me proporcionalitetin, me parashikueshmërinë por dhe pasojat e akteve ligjore.
Eksperiment është dhe bojkotimi i komisionit të reformës zgjedhore të mbështetur nga partnerët tanë ndërkombëtare dhe bojkotimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Po eksperimentohet me dhunën duke e relativizuar atë dhe duke e mirëpritur si akt apo instrument politik. Eksperiment është dhe zhdekretimi apo anulimi i zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës, në kapërcim të kufijve kushtetues dhe në kundërshtim me ligjin por dhe praktikën kokëfortë të tranzicionit shqiptar sipas të cilës duhet të ketë një dakordësi mes palëve politike për të anuluar, për të shtyrë datën e zgjedhjeve.” -u shpreh Bushati.
Pjesë nga fjala e ish-ministrit Bushati në parlament:
E pra miq, ne të gjithë e dimë që sistemet politike-institucionale përmirësohen përmes platformave, përmirësohen përmes pjesëmarrjes, përmirësohen përmes bashkëpunimit dhe nuk përmirësohen përmes kulturës së shumatores zero.
Ne jemi tek verbëria, siç e përshkruan Saramango situatën pas juntës dhe rivendosjes së demokracisë, dhe vërbëria na fton në qorrsokak dhe sot për fat të keq ne diskutojmë për datën e zgjedhjeve në Shqipëri, për 30 qershorin. Ndërkohë që të gjitha energjitë tona duhet të ishin për datën e fillimit të negociatave. Ne sot fillojmë dhe diskutojmë për një histori që nuk ka lidhje me aspiratat e shqiptarëve, që nuk ka lidhje me përparësinë tonë kombëtare dhe në vend që të merremi me vendet anëtare të Bashkimit Europian që janë ende skeptike për progresin tonë, apo të fqinjit tonë, ne harxhojmë energji duke u marrë me njëri-tjetrin. Shkurt, ne e kemi braktisur përparësinë kombëtare dhe për shkak se e kemi braktisur përparësinë kombëtare, ne sot nuk jemi në gjendje ti ofrojmë qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, atë çka ata meritojnë. Në kushtet kur ne jemi përballë kësaj situate unë besoja ashtu siç bnesonte dhe beson filozofi gjerman Habermass tek logjika e njeriut dhe tek fuqia e rezistencës së demokracisë dhe kështu e lexoj dhe vullnetin tonë për të shkuar drejt 30 qershorit, për ti dhënë të paktën mundësi atyre zgjedhësve, atyre që duan të votojnë që ta thonë fjalën e tyre me votë të lirë.


