![]()
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavusoglu, ka deklaruar se propozimet e fundit nga zyrtarët e SHBA-ve mbi krijimin e një zone të sigurt në Siri nuk përmbajnë atë që është e nevojshme.
“Propozimet e reja të SHBA-ve për një zonë të sigurtë në Siri nuk janë aspak të kënaqshme për Turqinë”, tha Çavusoglu pas takimit me homologun e tij nga Nikaragua, Denis Moncada Colindres.
Çavusoglu më tej theksoi se Ankaraja dhe Washingtoni duhet të arrijnë një marrëveshje në mënyrën sa më të shpejtë të mundur, pasi Turqisë i ka “mbaruar durimi”.
Ai tha se krijimi i një komiteti të shumëpritur për rishikimin e kushtetutës së Sirisë është në horizont dhe mund të shpallet në ditët e ardhshme.
Më herët këtë javë, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar dhe i dërguari i SHBA-ve në Siri, James Jeffrey, u takuan në kryeqytetin Ankara dhe shkëmbyen mendimet. Zyrtarët ushtarakë nga të dyja palët u tubuan sot dhe diskutuan më tej çështjen e një zone të sigurt në veri të Sirisë.
Të premten e kaluar, Akar i tha sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Mark Esper, se “e vetmja forcë ushtarake e gatshme, kompetente dhe e përshtatshme për krijimin e një zone të sigurt në veri të Sirisë është forca e armatosur turke”.
Që nga viti 2016, Turqia ka kryer dy operacine të mëdha ushtarake në veriperëndim të Sirisë, atë “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”, për të pastruar rajonin nga grupi terrorist DEASH dhe nga YPG-ja, dega siriane e organizatës terroriste PKK.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Europian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.


