Çavusoglu: Trump dëshiron normalizimin e marrëdhënieve

Mos i humb

Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Çavusoglu tha se struktura demografike do të përcaktojë përbërjen e administrimit dhe sigurisë pas tërheqjes së YPG-së nga Munbixhi.

Ministri Çavuşoğlu, i ftuar në panelin editorial të AA-së u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me temat në rendin e ditës.

Në përgjigje të pyetjes se si do të funksionojë procesi mes Turqisë dhe SHBA-ve pas ndryshimeve në detyrën e Sekretarit amerikan të Shtetit me qasjen e arritur për të stabilizuar Munbixhin dhe lindjen e Eufratit, Çavuşoğlu rikujtoi vizitën në Turqi të Sekretarit Rex Tillerson kur marrëdhëniet Turqi-SHBA kishin rritur në një pikë kritike.

Për të vendosur sërish në binarë marrëdhëniet Turqi-SHBA, Tillerson në takimin me presidentin Recep Tayyip Erdoğan pranoi se nuk kanë mbajtur premtimet e dhëna deri më sot.

“SHBA dëshiron të bëjë hapa. Një ditë më pas pati konferencë të përbashkët për media. U dakordësuam për formimin e tre grupeve të punës. Më 8-9 mars udhëtova në Washington ku biseduam për rrugën që do të ndiqej, për hapat dhe ditët që takimet do të zhvilloheshin. Ne e kemi filluar me Munbixhin dhe nëse kjo rrugë zbatohet me sukses do të zbatojmë të njëjtin model edhe për qytetet e tjera në lindje të Eufratit”, tha Çavuşoğlu.

– “Struktura demografike do të jetë kriter”

Lidhur me rrugën që do të ndiqet, Çavuşoğlu tha se “YPG do të largohet nga këtu, do të mbikëqyret largimi i YPG-së. Sepse më parë siç e dini nuk u dha informacion i drejtë, njëherë thanë ‘ka dalë, njëherë jo‘. Si përfundim e pamë se nuk doli. Një tjetër çështje është se kush do të ofrojë siguri këtu? Fillimisht pas largimit të YPG-së, Turqia dhe SHBA do të veprojnë së bashku. Masat në çështjen e sigurisë do t’i vendosim së bashku”.

Sa i përket hapit të dytë lidhur me atë se kush do të administrojë rajonin dhe kush do të ofrojë sigurinë, Çavuşoğlu tha se “Struktura demografike këtu do të jetë kriter. Masat do të përcaktohen në këtë mënyrë, ky është thelbi. Ne duhet të paraqesim në mënyrë të qartë të gjitha detajet në rrugën që do të ndjekim dhe më pas duhet të kalojmë në zbatim”.

Ai ka vënë theksin se ky është kuadri i mirëkuptimit, qasjes së arritur deri tani me SHBA-në. “Ky është kuadri. Pas Munbixhit kjo do të jetë e vlefshme për të gjitha rajonet në lindje të Eufratit, përfshirë edhe Rakkan”, tha Çavuşoğlu.

Sipas tij, në rast se ky model nuk zbatohet në Munbixh apo në rajonet e tjera, do të merret parasysh kërcënimi i terrorizmit kundër Turqisë.

“Në rast se ky plan nuk zbatohet atëherë ka vetëm një gjë për të bërë, ndërsa ai është eliminimi, neutralizimi i terroristëve këtu. Kjo nuk vlen vetëm për rajonet në lindje të Eufratit, por edhe për terroristët në Irak dhe kudo që ndodhen nuk ka ndryshim. Madje në rajonin Sinxhar ndodhet PKK-ja. Ata janë vendosur këtu duke përfituar nga pushtimi i një territori të caktuar në Irak nga DEASH-i”, tha Çavuşoğlu.

– “Erdoğan dhe Trump sot do të zhvillojnë një bisedë telefonike”

Çavuşoğlu tha se sekretari i ri amerikan Mike Pompeo pas marrjes së detyrës në krye të CIA-s vizitën e parë e ka zhvilluar në Turqi dhe se e ai e di rëndësinë e Turqisë. Ministri turk tha se marrëdhëniet Turqi-SHBA nuk janë të lidhura vetëm nga ministrat e Jashtëm, por se kjo është një politikë shtetërore.

“Ne e dimë se punimet kryesisht në kohët e fundit nga ana e SHBA-ve janë me udhëzime të Trumpit. Për këtë arsye mendojmë se edhe sekretari i ri do të ketë të njëjtën qasje për sa kohë që politika e SHBA-ve nuk do të ndryshojnë në një mënryë radikale për Turqinë”, tha Çavuşoğlu duke shtuar se qasja e politikave shtetërore të Turqisë është e qartë.

Çavuşoğlu theksoi se Turqia i ka përcjellë SHBA-ve shqetësimin në lidhje me deklaratat e ndryshme të bëra brenda SHBA-ve, e cila në kohët i ka ulur këto qëndrime. Ai tha se “Ne e dimë se Trump dëshiron normalizimin e marrëdhënieve. Por, duhet të jetë pak më shumë dominues mbi sistemin”.

“Nuk mjafton të arrijmë vetëm në një kuptim, qasje për të rregulluar marrëdhëniet tona. Është e nevojshme që të hidhen hapa konkretë kurse Turqia nuk mund të jetë përgjegjëse për pikën ku kanë arritur marrëdhëniet. Janë mjaft të qarta arsyet përse kemi ardhur në këtë pikë”, potencoi Çavuşoğlu duke nënvizuar se qëndrimi i qeverisë amerikane është i rëndësishëm dhe se ata kanë dëshirë të punojnë me sekretarin e ri.

Më tej Çavuşoğlu ka bërë të ditur se “presidenti ynë dhe Trump zhvillojnë vazhdimisht biseda telefonike, madje edhe sot ata do të zhvillojnë një bisedë telefonike. Vazhdimi i këtij dialogu është i rëndësishëm por gjithashtu është i rëndësishëm që të marrim rezultate nga ky dialog”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit