Çelik: Turqia propozon mbajtjen e Samitit BE-OBI

Mos i humb

Ministri i Turqisë për marrëdhëniet me Bashkimin Europian (BE) Omer Çelik, deklaroi se Ankaraja zyrtare është duke finalizuar dokumentet për heqjen e vizave për qytetarët turq në vendet e Shengenit dhe se së shpejti do t’ia dorëzojë Komisionit Europian.

“Kemi përfunduar punën për liberalizimin e vizave, sot dhe nesër do t’i dorëzojmë këto dokumente në Komisionin Evropian”, tha Çelik në një konferencë për media në Ankara.

Çelik gjithashtu tha se Turqia i ka përmbushur të gjitha obligimet lidhur me liberalizimin e vizave.

“Turqia ka përmbushur të gjitha 72 kërkesat për këtë marrëveshje”, tha Çelik.

Ministri turk Çelik tha se Turqia propozoi mbajtjen e një Samiti të Bashkimit Europian dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI).

“Nga aspekti i dërgimit të mesazhit global, do të ishte e dobishme që kjo të realizohet deri në qershor”, tha Çelik.

Në mars të vitit 2016, BE dhe Turqia arritën një marrëveshje për zgjidhjen e krizës së emigrantëve. Turqia sipas marrëveshjes është ngarkuar për rikthimin e emigrantëve të paligjshëm që arrijnë në ishujt grekë në Detin Egje, kurse liberalizimi i vizave është një nga premtimet më të rëndësishme të cilën BE-ja i ka dhënë Ankarasë zyrtare.

Ministri turk Çelik tha se ky do të jetë një vit dinamik për marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Brukselit dhe paralajmëroi se Turqia dhe BE-ja do të mbajnë një samit më 26 mars në qytetin bullgar Varna.

Duke theksuar se Evropa nuk duhet të humbasë shansin e dhënë për afrimin mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë, Çelik tha se Europa nuk ka kaluar disa provime, duke përfshirë edhe luftën kundër ksenofobisë, islamofobisë dhe solidaritetit ndaj refugjatëve.

Çelik tha se Turqia nuk ka hasur as në qëndrimin dhe mbështetjen e pritur të BE-së sa i përket operacionit ushtarak “Dega e Ullirit”, ku forcat turke dhe Ushtria e Lirë Siriane janë angazhuar për neutralizimin e terroristëve të PYD/PKK-së dhe DEASH-it në rajonin sirian të Afrinit.

“Dënojmë ashpër deklaratat e disa zyrtarëve evropianë që thonë se Turqia duhet të luftojë vetëm kundër grupeve të cilat janë në listën e OKB-së të organizatave terroriste. Natyrisht se Turqia është duke luftuar kundër këtyre organizatave, por aktualisht territori turk dhe civilët sulmohen nga grupi YPG i cili është plotësisht i ngjashëm sikur PKK-ja dhe a duhet që në heshtje të durojmë sulmet për shkak se ky grup nuk është regjistruar nën emrin YPG”, tha Çelik.

Ai iu referua edhe rëndësisë së ruajtjes së stabilitetit në Ballkan dhe tha se në këtë drejtim Turqia dhe BE ndajnë mendimin e njëjtë, duke shtuar se BE-ja tani është duke u përgatitur për Samitin Ballkanik në të cilin ndanë Turqinë dhe Ballkanin Perëndimor.

“Edhe pse thonë se ky nuk është një samit gjithëpërfshirës i Ballkanit, por një takim në lidhje me këto shtete, ne në çdo rast besojmë se Samiti i Ballkanit pa Turqinë do të jetë i mangët dhe një perspektivë e gabuar”, ka thënë Çelik.

Çelik kritikoi gjithashtu edhe qarqet evropiane, të cilat pas çdo vizite nga zyrtarët turq në Ballkan, komentojnë se Turqia shëtitë në oborrin europian.

“Turqia është lojtar kryesor dhe një shtet kyç për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan”, tha Çelik, duke shtuar se në aspektin e balancit, mungesa e Turqisë në Ballkan do të plotësohej nga vende tjera dhe se kjo nuk do të ishte në interes të Europës./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit